E ngatërroi me dre, gjuetari qëllon për vdekje 39-vjeçaren, nënë e pesë fëmijëve në SHBA

E ngatërroi me dre, gjuetari qëllon për vdekje 39-vjeçaren, nënë e pesë fëmijëve në SHBA

Një 39-vjeçare, nënë e pesë fëmijëve, ka humbur jetën tragjikisht në Delaware të SHBA-së, pasi u qëllua me armë zjarri nga një gjuetar, i cili dyshohet se e kishte ngatërruar me një dre.

Ngjarja ka ndodhur në zonën e Ellendale, ku viktima, Santos Maria Chilel Soto nga Georgetown, ishte duke ecur në një fushë të hapur së bashku me një burrë dhe dy fëmijë.

Sipas Policisë Shtetërore të Delaware, rasti ndodhi rreth orës 19:40, ndërsa 74-vjeçari Walter Moorehead, nga Salisbury, Maryland, ndodhej në një strukturë të kamufluar të përdorur gjatë gjuetisë.

Nga hetimet paraprake dyshohet se Moorehead besoi se kishte parë një dre dhe hapi zjarr me pushkë, por plumbi goditi 39-vjeçaren.

Policët që mbërritën në vendngjarje i dhanë ndihmën e parë, ndërsa ajo u dërgua në një spital lokal. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ajo nuk arriti të mbijetonte dhe u shpall e vdekur.

Moorehead u ndalua në vendngjarje dhe më pas u arrestua. Ai përballet me akuzat për vrasje nga pakujdesia, posedim të armës së zjarrit gjatë kryerjes së një krimi dhe tri akuza për rrezikim të shkallës së parë.

74-vjeçari është liruar pasi ka paguar një garanci prej 43 mijë dollarësh, ndërsa rasti po hetohet nga Njësia e Vrasjeve e Policisë Shtetërore të Delaware.

Sipas mediave amerikane, Soto ishte me origjinë nga Guatemala dhe la pas pesë fëmijë. Pas vdekjes së saj është nisur edhe një fushatë online për mbledhjen e fondeve për shpenzimet e funeralit dhe transportimin e trupit të saj në vendlindje.

Related Articles