E rëndë: I mituri rrah brutalisht dhe kërcënon me armë gjyshërit e tij, ia vuri flakën edhe shtëpisë së tyre

E rëndë: I mituri rrah brutalisht dhe kërcënon me armë gjyshërit e tij, ia vuri flakën edhe shtëpisë së tyre

Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese.

Viktimat më të shpeshta janë gratë dhe vajzat, por ka raste edhe më të rënda kur dhunë psikike e fizike përjetojnë prindërit e gjyshërit.

Një rast i rëndë ka ndodhur dje në fshatin Miradi e Epërme në Fushë Kosovë, ku një person dyshohet se ka sulmuar fizikisht gjyshërit e tij nga ana e nënës.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i mituri ka shkuar në shtëpinë e viktimave dhe të njëjtit fillimisht i ka kërcënuar me armë zjarri të cilën e kishte me vete, e më pas të njëjtit i ka rrahur brutalisht duke iu shkaktuar lëndime të rënda trupore.

17-vjeçari nuk u mjaftua me kaq, pasi i njëjti dyshohet se i ka vënë edhe flakën shtëpisë së gjyshërve e më pas është larguar që aty.

Viktimat janë dërguar me urgjencë për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, teksa në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë relevante.

Policia ka kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit, ndërsa ekipi i zjarrfikësve ka lokalizuar dhe ka fikur zjarrin.

Pas veprimeve hetimore është arritur që të arrestohet i dyshuari, i cili është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të miturit t’i caktohet masa e ndalimit dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e tri veprave penale ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’, ‘Lëndim i rëndë trupor’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.

Related Articles