Në Kosovë, çdo vit regjistrohen deri në 1.500 raste të reja me kancer. Familjet janë ato që i përjetojnë rëndë këto raste kur e marrin vesh se dikush nga anëtarët e ngushtë është diagnostikuar me një sëmundje të tillë.
Kështu ka ndodhur së fundmi në një familje në Varosh të Ferizajt, kur një vajzë ka tentuar vetëvrasjen për shkak se nëna e saj po vuan nga kanceri.
Burimet e Sinjalit nga Emergjenca kanë bërë të ditur se bëhet fjalë për një 22-vjeçare, e cila ka konsumuar sasi të tepruar të medikamenteve dhe për pasojë iu është përkeqësuar gjendja shëndetësore.
Vajza është pranuar në Spitalin Rajonal në Ferizaj, ku ka marrë trajtim mjekësor dhe fatmirësisht gjendja e saj momentalisht është stabile.
Posa Policia është njoftuar për rastin, një patrullë policore ka dalë në vendin e ngjarjes, ku është kuptuar se vajza ka qenë në gjendje të rëndë emocionale prej kur e ka kuptuar se nëna e saj ka kancer.
Me t’u mbledhur informacionet e para, për rastin është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit.
Kujtojmë se rastet e tilla janë shpeshtuar shumë dhe kjo po cilësohet si një dukuri mjaft shqetësuese.