Numri i rasteve të dhunës në familje kosovare ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen ngjarje të rënda ku viktima zakonisht janë gratë që përjetojnë dhunë psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre.
Të tilla raste janë edhe më të trishta kur viktimat tentojnë vetëvrasjen si pasojë e dhunës së vazhdueshme.
Një rast i tillë dhe mjaft i trishtë dyshohet se ka ndodhur së fundmi në Podujevë, ku një grua 31-vjeçare konsumoi preparate kimike, si pasojë e dhunës psikike që bashkëshorti dyshohet se ka ushtruar ndaj saj.
Për pasojë, viktimës i është përkeqësuar gjendja shëndetësore dhe është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, teksa rasti më pas është denoncuar edhe në Polici.
Siç mëson Sinjali, motivi që e shtyu gruan drejt këtij veprimi dyshohet se lidhet me presionin që ka pasur sistematikisht nga burri i saj për shkak se të njëjtit akoma nuk kanë fëmijë.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se si rezultat i raportimit të rastit, është siguruar prezenca e të dyshuarit, i cili ka dhënë deklaratën e tij para hetuesve policorë, ku ka mohuar se ka ushtruar presion ndaj gruas së tij.
Pas mbledhjes së informacioneve të para të rastit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor për 48 orë dhe inicimin e hetimit për të zbardhur të gjitha rrethanat e asaj që ka ndodhur.
Kujtojmë se mungesa e hetimeve që çojnë në zgjidhjen e rasteve të dhunës, dënimet e ulëta nga Gjykatat, si dhe mosreagimi i duhur nga ana e Policisë, shpesh janë vlerësuar si disa nga faktorët që po ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje.