Partitë politike që do të garojnë për zgjedhjet e 9 shkurtit kanë edhe dy ditë kohë t`i zyrtarizojnë koalicionet. Aktualisht, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka paralajmëruar për ndonjë koalicion, përderisa PDK pritet të garojë e vetme, e nga LDK nuk janë përgjigjur, dhe partitë si AAK dhe Nisma me partitë e tjera kanë zyrtarizuar më herët koalicionin për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Kanë mbetur edhe dy ditë afat për aplikim për subjektet politike që dëshirojnë të garojnë si koalicione në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Megjithatë, kësaj gare duket se partitë më të mëdha do t’i hyjnë të vetme.
Lëvizja Vetëvendosje pritet që të vendosë për këtë çështje deri në fund të kësaj jave, ndërsa PDK do të garojë e vetme, mëson RTK.
Televizioni ka provuar të marrë përgjigje edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës, nëse kjo parti do të hyjë në koalicion parazgjedhor, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.
Ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate kanë lidhur koalicion për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Për ish-kryetarin e KQZ-së, Mazllum Baraliu, partitë opozitare do duhej të ishin më unike në mënyrë që ta sfidonin apo edhe rrezikonin në një formë Lëvizjen Vetëvendosje në këtë proces zgjedhor.
“Vetëvendosja mendoj që gjatë këtyre ditëve, ndonëse edhe tek partitë tjera mund të ketë ndonjë lëvizje, mirëpo Vetëvendosja ditën e fundit mund ta paraqes koalicionin me listën Guxo sepse çdo opsion, çdo solucion tjetër do ishte i papërshtatshëm, për të mos thënë i pasuksesshëm edhe për Listën Guxo por edhe për Vetëvendosjen”, tha Baraliu.
Ndërsa për profesorin universitar Rrahman Paçarizi, koalicionet ndër vite nuk kanë dhënë frytet e dëshiruara. Ai thotë se të tilla mund të lidhen vetëm me parti të vogla që nuk arrijnë të kalojnë pragun zgjedhor.
“Koalicionet qofshin ato zyrtare, apo ato jozyrtare të menduara si koalicione paszgjedhore nuk kanë dhënë frytet e dëshiruara, u janë hakmarrë partive politike në të gjitha rastet. Partitë e mëdha me gjasë do të shkojnë të vetme në zgjedhje, por ka parti të vogla, parti krejt minore të cilat mund të ju bashkohen disa partive të mëdha. sepse pragu parazgjedhor është i pamundur të kalohet nga këto partive të mdha”,tha Paçarizi.
Sipas ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, partitë politike që janë të regjistruara në KQZ dhe që dëshirojnë të garojnë përmes koalicionit, duhet ta njoftojnë KQZ-në deri më 30 gusht.