Çmimi i naftës në javët e fundit ka shënuar rënie, mirëpo kjo rënie nuk po paraqet zbritje te artikujt ushqimor, kështu thonë ekspertët e tregut në Kosovë, raporton Gazeta Enigma.
Sipas Agjencionit Statistikave të Kosovës, në muajin prill të këtij viti krahasuar me muajin mars 2023, vërehet një rënie e çmimeve te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: qumësht, djathë dhe vezë për 1.4%) dhe perimet 0.6%, me një ndikim prej 0.1 për qind, ndërsa çmimet e konsumit u rritën për 6.3% në prill të këtij viti, krahasuar me prillin e vitin të kaluar.
Çmimet e derivateve sot në tregun kosovar përafërsisht janë: Dizelli 1.18 cent dhe Benzina 1.24 cent.
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, tha për Gazetën Enigma se çmimet e derivateve janë në rënie të vazhdueshme, por prapë se prapë çmimi aktual nuk është konform standardeve të qytetarëve të Kosovës.
“Çmimet janë në ramje. Çmimet e derivateve janë po këto çmime para shumë vitesh. Është duke ardhur drejt stabilizimit të tregut. Çmimi real për qytetarin tonë për standardin tonë kishte qenë mirë të jetë 1€ deri në 1.10 cent” tha ai.
“Rënia e çmimit ka ndikuar se organizata prodhuese ka prodhim te mjaftueshëm.” përfundoi Berjani.
Sipas ekonomistit Haki Shatri, rënia e çmimit të naftës, nuk do të ndikojë në rënien e artikujve të shportës, dhe se nuk parasheh rikthim në gjendje parësore të çmimeve.
“Rënia e çmimit të naftës për 10 deri 15% nuk besoj që do të ndikoj në rënien e çmimit të artikujve të shportës. Nuk kam informata për pjesëmarrjen e shpenzimeve të naftës në prodhimin e këtyre artikujve por dihet që energjia elektrike është njëri nga faktorët kyq te prodhimit, çmimi i të cilës po ashtu është rritë për 15% këtë vit. Zakonisht kur çmimet rriten njëherë kurrë nuk kthehen në nivelin e mëparshëm” tha ai.
Tutje, Shatri thotë se të punësuarit me një rroge 400-500 euro janë lënë në hall të madh pasiqë e tërë paga shkon rreth çmimeve të shportës dhe tatimeve.
“Çmimet e artikujve të shportës janë rritë 40 deri 60% kurse pagat minimalisht jane rritë 5 deri ne 10% në tri vitet e fundit. Pra, fuqia blerëse e një të punësuari që e ka pagën mesatare 400 deri 500 euro pothuajse është përgjysmuar. Fakti se kjo kategori tërë pagën e shpenzojnë për artikuj të shportës dhe pagesë të faturave të rrymës bën që familjet me 4-5 anëtarë të jetojnë në skaj të ekzistencës.” shtoi ai.
Shatri thotë se nëse nuk miren masa për përmirësimin e pagave me raport me çmimin e shportës së konsumatorit, do të detyrojë qytetarët të emigrojnë.
“Nëse shteti nuk merr masa për harmonizimin e pagave me lëvizjen e çmimeve dhe po ashtu ngritjen e nivelit të pagës minimale, pozita ekonomike e sociale e mbi 70% të familjeve kosovare do të vështirësohet apo siç ka deklaruar zv. Kryeministri, “normalisht” do të emigrojnë.” përfundoi ai.
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, thotë se cdo produkt bazë, ka shënuar rritje dhe se pagat nuk janë në standardin e një jetese që mund ti mbuloj ato.
“Në fakt çmimet janë rritë, janë dyfishuar, sidomos në produktet bazike dhe të përditshme. Ne si Aleancë, kemi iniciuar vazhdimisht të sjellet Ligji i Pagave, por në fakt Ligji i Pagave me Koeficientin 105 Euro, nuk është se i ka ndihmu. Ka edhe kategori që Pagat nuk i’u kanë rritë fare. Përshembull, kemi largimin e rrezikshmërisë tek Policia, e që i bie se pagat bien në nivelin që kanë qenë.”
Tutje, Kadriaj, në një prononcim për Gazetën Enigma, fajëson pozitën për premtimet boshe, e që në fakt, dolën në të kundërtën e asaj që u premtua para se të ishin në pushtet.
“Me këtë inflacion tregtar që është bërë, jeta e qytetarëve të Kosovës është rënduar, dhe kurrë ma keq nuk kanë jetuar se sot qysh po jetojnë në epokën e Albin Kurtit, pasi ky i fundit dihet se sa shumë ka premtuar, si në çmimin e bukës, çmimin e rrymës, etj.” tha ajo.
Kadriaj thotë se me këto kosto jetese, nuk është rastësi që qytetarët po e lëshojnë vendin.
“Me këto kosto të jetesës, për qytetarët e Kosovës, është bërë e papërballueshme jetesa. Dhe nuk është e rastësishme që 100 mijë qytetarë e kanë braktisur vendin.” përfundoi ajo. / Gazeta Enigma/