Edi Rama i pyet shqiptarët: A duhet të legalizohet kanabisi?

Edi Rama i pyet shqiptarët: A duhet të legalizohet kanabisi?

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama këtë të diel u është drejtuar shqiptarëve me pyetjen “A duhet të lejohet kultivimi I kanabisit mjekësor në Shqipëri?”, raporton Gazeta Enigma.

Rama ka ftuar të gjithë qytetarët që të japin opinionin e tyre pa u ndikua, ndërsa shton se ka ardhur koha të lihen pas krahëve llogoret përçarëse.

“Për të ecur më shpejt e për t’u ngjitur lart, kemi nevojë të lëmë pas krahëve llogoret përçarëse të partive dhe të dëgjojmë më shumë njëri-tjetrin! Ju ftoj të gjithëve të jepni opinionin tuaj në këtë proces popullor që zhvillohet për herë të parë dhe është i hapur për çdo shqiptar, kudoqoftë jeton e banon, pavarësisht bindjeve e simpative politike” shkruan Rama.

Pyetësori i këshillimi kombëtar të qeverisë me qytetarët, nismë e njoftuar nga kryeministri Rama disa javë më parë, përfshin 12 pyetje, disa prej te cilave për tema të ndjeshme që diskutohen në opinionin publik.

Ndër çështjet për të cilat u kërkohet opinion shqiptarëve përmes kësaj ankete ka nga ato familjare e sociale, siç janë trajtimi i nënave me shumë fëmijë të mitur, vaksinimi i detyrueshëm për kovid, kultivimi i kanabisit për qëllime mjekësore e deri tek tema me fokus me specifik si amnistia fiskale për paratë e emigrantëve, vetingu i gjyqtareve dhe prokuroreve apo integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Në këtë anketë, që gjithsesi nuk është detyruese, shqiptarët përballen edhe me pyetje për nismën Ballkani i hapur, për të cilat si politikanë ashtu dhe eksperte të ekonomisë e fushave të tjera, janë të ndarë në mendime apo dhe të paqartë në pritshmëri.

Ajo që vihet re është se para se i anketuari të zgjedhë njërën nga 3 fushat e përgjigjes, anketuesi ( në këtë rast qeveria) i tregon opsionin apo qëndrimin e saj për temën.

Konkretisht; pyetja “nëse i sjell apo jo përfitime Shqipërisë nisma Ballkani i hapur”, pasohet nga sqarimi sugjestionues se “aktualisht ekzistojnë shumë barriera lidhur me lëvizjen e njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit në vendet e Ballkanit Perëndimor. Por Ballkani i Hapur do ti rrëzonte ato dhe do t’i sillte Shqipërisë dhe shqiptarëve avantazhe të reja”.

Pyetësori është anonim, dhe mund të plotësohet nga kryefamiljari apo të tjera familjarë mbi 18 vjec. Por autorët janë kujdesur tu kujtojnë qytetarëve, të cilëve do tu bjerë në dorë se mund të lënë të dhënat individuale të kontaktit nëse dëshirojnë, për të vazhduar komunikimin me përfaqësuesit e qeverisë mbi çështjet për të cilat u është kërkuar opinion.

Anketimi “Le të dëgjojmë njëri-tjetrin” nuk është e para urë komunikimi mes qeverisë së kryeministrit Rama me shqiptarët. Ekzistojnë portale qeveritare ku qytetarët ftohen të shprehin ankesat, në pritje të zgjidhjes së tyre nga institucionet përkatëse. Ajo që është e rëndësishme dhe mbetet të shihet në këtë rast është si do të administrohet dhe materializohet opinioni i shqiptarëve që do të përgjigjen në këtë anketim

Pyetja 6 në pyetësorin e Këshillimit Kombëtar:

Ka njerëz që thonë se Shqipëria duhet të lejojë kultivimin, përpunimin dhe eksportimin e kontrolluar nga shteti të kanabisit për qëllime mjekësore, pa e legalizuar për arsye përdorimi vetjak. Të tjerë thonë që kanabisi nuk duhet të lejohet as për qëllime mjekësore. Si mendoni ju?

Kanabisi mjekësor, i cili është i ndryshëm nga kanabisi për përdorim vetjak, provohet gjerësisht nga shkenca se ka efekte kurative. Megjithatë, siç rezulton nga eksperienca e vendeve të ndryshme të rajonit apo botës, shfrytëzimi i kontrolluar i kanabisit nga shteti ka impakt shumë pozitiv jo vetëm në shëndetësi, por edhe në rritjen ekonomike dhe në luftën kundër shfrytëzimit të paligjshëm të kësaj bime.

Opsionet e përgjigjes:

 -Shqipëria duhet të lejojë kultivimin, përpunimin dhe eksportimin e kontrolluar nga shteti të kanabisit mjekësor.
 – Nuk kemi nevojë për këtë nismë.
 – Nuk di të gjykoj mbi këtë çështje.

Related Articles