Kryeministri shqiptar, Edi Rama, në një intervistë për “Financial Times”, ka folur për situatën aktuale politike në Shqipëri, si dhe sfidat që e presin në mandatin e tretë.
Ai u shpreh se Shqipëria ka krijuar stabilitet pas tre dekadave, që nga përmbysja e sistemit komunist.
“Shqipëria është një demokraci adoleshente dhe si çdo adoleshent ajo ka probleme, por po rritet dhe do të arrijë pjekurinë për një kohë jo të gjatë”.
Ai komentoi edhe akuzat e ngritura nga opozita për parregullsinë në zgjedhje, por edhe kapje të shtetit.
“Ata që nuk dinë çfarë të bëjnë me lirinë e fjalës ankohen për mungesë lirie. Opozita ka humbur betejën e saj të pestë me radhë, tre zgjedhje të përgjithshme dhe dy lokale, sepse ata kurrë nuk kanë qenë humbës të mirë. Nëse je një humbës i keq, nuk mund të fitosh”, u shpreh Rama.
“Financial Times” prek në shkrim edhe vrasjen e Pjerin Xhuvanit të ndodhur në Elbasan vetëm tri ditë para zgjedhjeve.
“Një mbështetës i partisë Socialiste u vra gjatë trazirave në qytetin e Elbasanit. Ngjarja erdhi pasi Presidenti Ilir Meta, themeluesi i Lëvizjes Socialiste për Integrim, akuzoi Ramën për drejtimin e një “regjimi kleptokratik” që “rrëmbeu të gjitha fuqitë dhe sovranitetin e popullit të Shqipërisë dhe. . . eliminoi të gjithë llogaridhënien”, shkruan “Financial Times”.
Sa i përket anëtarësimit në BE, Rama theksoi se Brukseli nuk po kalon një situatë të qetë. “Nëse Shqipëria është një adoleshente, Brukseli po vuan nga një amnezi për atë se kush janë, cili është qëllimi i ekzistencës së tyre. Ata janë forca më e madhe për njerëzimin e mirë që ka krijuar dhe shpresoj se do të shërohen shpejt sepse pa to bota është një vend shumë më i keq”, tha Rama.