Edicioni 2020/2021 i zakonshëm, në rrethana të jashtëzakonshme

Edicioni 2020/2021 i zakonshëm, në rrethana të jashtëzakonshme

Kampionati i përfunduar i Superligës së Kosovës në Futboll, ka sjellë shumë risi. vlerësojnë zyrtarë kompetentë dhe profesionistë të futbollit kosovar, shkruan Gazeta “Enigma”.

Duke iu referuar rrjedhës së garave nga fillimi i edicionit deri në fund, me të ashtuquajturin “Sistem i Bergerit”, me nga katër takime të ndërsjella vajtje-ardhje, përpos i strukturuar ndryshe nga e kaluara, edicioni i fundit i Super ligës së Kosovës në futboll, pos tjerash është vlerësuar pozitiv edhe sa i përket ngritjes së cilësisë së lojës, sikurse edhe organizimit të skuadrave.

Për rrjedhën e edicionin 2020/2021 të Superligës së Kosovës në futboll, për Gazetën “Enigma” kanë folur kompetentë e njohës profesionistë të fushës.

Organizimi i garave, mbarëvajtja, cilësia, të metat organizative e vlerësimet e përgjithshme të rrjedhës së garave sipas kreut të FFK-së.

Sipas kreut të FFK-së, Agim Ademi, është kënaqësi të shohësh se si futbolli i Kosovës, nga viti në vit, po shënon progres. Edicioni 2020/2021, sipas tij ka qenë garues edhe për shkak të zvogëlimit të numrit klubeve në super ligë në gjithsej dhjetë.

“Besoj se kjo ka ndikuar në ngritjen edhe të cilësisë pasi vazhdimisht ka pas luftë, jo vetëm për të qenë lider apo për mbijetesë, por e gjithë tabela ka qenë e përfshirë. Ka pasur shumë rivalitet, lojë të bukura e cilësore dhe besoj që aderuesit e futbollit  janë ndjerë mirë me atë që u është ofruar. Unë mendoj që gjithçka ka shkuar mbarë, pavarësisht se pandemia e ka vështirësuar çdo proces, jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe atë të përgjithshëm”, ka thënë ai, duke folur për vlerësimet e brendshme të FFK-së, për mbarëvajtjen dhe rrjedhën e garave.

Kreu i FFK-së ka folur edhe në lidhje me interesimin e Gazetës “Enigma” për të mësuar saktësisht se cilat kanë qenë dobësitë e identifikuar nga këndvështrimi i këtij institucioni. Avantazhe tjera të edicionit 2020/2021, sipas kreut të FFK-së kanë qenë disa, si organizimet e brendshme të klubeve të Superligës, qëndrueshmërinë organizative të tyre, investimet, si dhe aspekte tjera, përfshirë ngritjen e cilësisë së lojës e nivelin e kënaqshëm të përgatitjes fizike, përkundër rrethanave të krijuara me pandeminë dhe orarin e ngjeshur të garave.

“Besoj se në këtë fakt duhet të pajtohemi të gjithë se ky kampionat e ka pasur një ritëm të dalluar nga vitet e kaluara”, ka shtuar ai për Gazetën “Enigma”.

Duke folur për vlerësimet negative në futbollin e Kosovës, të identifikuara nga ana e vet Federatës, si dhe vet atij si i pari i këtij institucioni, kreu i FFK-së ka potencuar si negative çështjen e infrastrukturës së klubeve si dhe çështje të ndryshme administrative.

“Ne mundohemi që t’i harmonizojmë ato me të gjitha rregulloret që na vijnë nga shtëpitë më të mëdha të futbollit në botë, sidomos në kohën e pandemisë, që ka qenë kohë e jashtëzakonshme dhe është dashur të ndërrojmë  shumë çka me vendime të përkohshme nga FIFA e UEFA, si për klubet ashtu edhe lojtarët e për federatën, të cilat ndodhi ndoshta kanë sjellë pak huti tek ne”, ka thënë në fund të prononcimit të tij për gazetën “Enigma”, kryetari i FFK-së.

Edicioni 2020/2021 i Superligës së Kosovës në Futboll, sipas vlerësimeve të trajnerit Gani Sejdiu

Për trajnerin e njohur Gani Sejdiu, ky edicion ishte i strukturuar me një format tjetër prej dhjetë ekipeve në Superligë, i cili shfaqi anët pozitive, por në një masë edhe ato negative.

 Ai në një deklarim për Gazetën “Enigma”, ka vlerësuar si pozitiv faktin se konkurrenca dhe dallimi në cilësi mes skuadrave ishte shumë i vogël, gjë që rezultoi me një garë më konkurruese deri në fund, si në luftë për kreun e tabelës ashtu edhe për mbijetesë.

“Sidoqoftë, ekipet treguan cilësi dhe progres në aspektin e përgjithshëm të lojës, e që këtë e mundësuan investimet e klubeve me prurje të lojtarëve kualitativ, të cilët e rritën konkurrencën dhe rrjedhimisht edhe gara u bë më kualitative. Mendoj se investimet në disa klube ishin të pa kontrolluara, me sasi të tejkaluara e të pa planifikuara saktë, e që kur nuk arrihen objektivat në raste të tilla, pasojat mund të jenë të pariparueshme. Një lëshim i radhës edhe në këtë kampionat është se prapë nuk i është kushtua sa duhet vëmendje përmirësimit të infrastrukturës, që për mua është një faktor shumë i rëndësishëm në kualitetin e vet takimeve”, tha Sejdiu.

Rrjedha e garave, veçmas finishi i edicionit, sipas tij, ka nxjerrë me meritë kampionin, FC Prishtina, pasi në edicionin e dytë të garave kjo skuadër ishte e papërmbajtshme.

“Sa i përket garës për mbijetesë e bukura e këtij kampionati ishte se deri në xhiron e fundit nuk ishin gjërat e qarta, përveç Besës, e cila u dorëzua herët. Skuadrat të cilat në një mënyrë apo tjetër zhgënjyen, ishin Gjilani dhe Feronikeli, sepse Llapi shpëtoi kampionatin me fitimin e kupës dhe daljen në Evropë, e që është arritje e objektivit”, tha Sejdiu.

Ai më pas i bëri një përshkrim edhe kontinuitetit të skuadrave tjera të Superligës, duke vlerësuar se FC Drenica edhe këtë edicion kishte po ato synime të zakonshme sikurse në çdo kampionat, duke konstatuar se ajo, ndonëse me vështirësi, zakonisht i arrinë objektivat – mbetjen në Superligë. Ndërsa Trepça ’89, tha se ka mundur të bëjë më shumë, porse theksoi se  ajo e ka edhe një mundësi përmes barazhit, kurse për skuadrën e Arbërisë vlerësoi se u penalizua nga fusha, por edhe nga mungesa e eksperiencës në superligë.

Trajneri Sejdiu i ka bërë edhe një përshkrim performancave të Besës së Pejës, e cila sipas tij filloi edicionin me një projekt, por të cilin nuk arriti ta realizoj, e që vlerëson se është dështim i një klubi me renome në historinë e futbollit tonë.

“Sa i përket mbarëvajtjes së kampionatit ka pasur edhe lëshime të theksuara, pastaj gabime nga ana gjyqtarëve, por mbetem me shpresë që ato nuk ishin me tendencë. Polemika për trukime si në çdo kampionat, ka pasur edhe këtë herë, por në këso raste duhet të jemi të kujdesshëm deri sa të mos kemi fakte të mjaftueshme”, tha ai.

Trajneri Sejdiu ka folur edhe për cilësinë e futbollit të Kosovës, gjatë edicionit të fundit, duke i bërë një krahasim me atë të edicioneve të mëhershme, duke vlerësuar se futbolli i Kosovës në këtë rrafsh ka avancuar.

“Ky kampionat ka pasur avancim të theksuara në ngritje të cilësisë brenda ekipeve dhe konkurrencës mes tyre, por investimet në këtë aspekt i tejkaluan normat standarde të kapacitetit tonë si shoqëri sportive, e në të njëjtën kohë duhet të vazhdohet me këto veprime gjithsesi, por ato investime duhet të jenë të planifikuara më mirë. Në këtë pikë mendoj se ne nuk u dhamë hapësirë të mjaftueshme talenteve tanë të shumtë”, shtoi ai.

Futbolli i Kosovës sipas futbollistit të Serie A, Berat Gjymshiti, i cili këtë edicion do të jetë protagonist në Champions League

Tutje, në një prononcimin për gazetën “Enigma”, futbollisti me origjinë nga Lugina e Preshevës, Berat Gjymshiti, i cili tash e disa vite është pjesë e vazhdueshme e Kombëtares së Shqipërisë dhe Atalanta në Serie A, ka treguar se ka qenë shumë i fokusuar me skuadrën e tij, duke pranuar se ka pak njohuri për rrjedhën e garave të Superligës së Kosovës.

“Për të dhënë një vlerësim se a ka apo nuk ka avancim në futbollin e Kosovës po bazohem në lojërat e mira të Kombëtares, dhe them që ka pasur shumë avancim”, tha ai.

Përgatiti: Xhemail Veseli

Related Articles