Edon Maxhuni, i gatshëm për sfidën e radhës, Eurobasketin

Edon Maxhuni, i gatshëm për sfidën e radhës, Eurobasketin

Nga Kari-Pekka Klinga, përmes Teemu Ranniko e te Jamar Wilson dhe Petteri Kopose, loja e Përfaqësueses së Finlandës në basketboll është drejtuar nga fundorë të nivelit ndërkombëtar nga dekada në dekadë. Ndërsa në “Eurobasket 2022” që tashmë ka nisur, kandidati më i mundshëm për ta udhëhequr lojën e Finlandës është Edon Maxhuni, 24-vjeçar.

Të gjithë ata që e kanë ndjekur basketbollin finlandez në vitet e fundit, aspak nuk janë të befasuar me daljen e Maxhunit në skenë si lojtar i profilit të lartë që mund të jetë lider i Finlandës. Maxhuni ishte lojtar i suksesshëm në kampionatet e të rinjve dhe përfaqësueseve të reja, ndoshta më perspektivi i gjeneratës së tij (1998). Edoni, i cili u edukua me dashuri nga babai i tij Besimi, synimet e larta i ka vendosur që në fëmijëri.

“Më kujtohet që kur isha i vogël e pata shikuar Finlandën duke luajtur në Helsinki. Me babanë ishim të ulur në tribunën e sipërme dhe i thash vetes se një ditë do të luajë për këtë fanellë”, ka kujtuar Edoni 24-vjeçar.

Çdo lojtar që ka luajtur për Finlandën në dekadat e fundit ka pasur historinë e vet. Edoni është një personalitet i madh – një shtesë e përsosur në vazhdimësinë prej dekadave të shënimit të pikëve vendimtare.

“Babai thotë gjithmonë se unë luaj basketboll ballkanik, por mendoj se jam kombinim i dy llojeve të këtij sporti. Kam guximin dhe inteligjencën finlandeze, por di edhe të luaj në mënyrë agresive si në vendet ballkanike”, ka thënë ai. “Dëshira ime për të fituar është vërtet e madhe dhe unë jam pikërisht tipi që ngrit duart dhe u thotë bashkëlojtarëve se ku të shkojnë dhe çfarë të bëjnë. Nuk mund ta përshkruaj me fjalë se sa shumë e dua këtë sport”.

Maxhuni është ftuar për herë të parë te Finlanda në verën e vitit 2019, pak muaj pas ditëlindjes së 21-të. Në atë kohë, Maxhuni e kishte përfunduar aventurën dyvjeçare në ligën e kolegjeve amerikane NCAA me Long Beach State dhe ishte kthyer në Evropë. Në verën e vitit 2019, Finlanda solli disa lojtarë të rinj dhe minutat e lojës së Maxhunit ndryshonin nga ndeshja në ndeshje – herë djersitej, herë e ngrohte bankinën.

“Mund të jetë që dy vjetët e parë te Finlanda ishin paksa zhgënjyes, por e dija që kjo ishte një lojë afatgjate. Prisja që kur të vinte thirrja për t’u futur të tregoja potencialin tim. Mbi të gjitha e kam ditur që në fillim se do të kem përgjegjësi të madhe për të mbushur boshllëkun pas Jammu Wilson dhe Petsku Koponen. Kjo është ajo që kam synuar dhe ky është roli që kam dashur”, insiston ai.

Kur Finlanda ishte në pozicion në dukje të pamundur në Zvicër në ndeshjen kualifikuese të Kampionatit Evropian, në shkurt të vitit 2020, Maxhuni shkëlqeu, por jo në rolin e tij tipik si top-shënues. Ai u shqua si fundor i guximshëm me lojë të përkushtuar në mbrojtje. Një tjetër lloj përparimi u pa në fitoren kualifikuese të Kupës së Botës të nëntorit 2021 ndaj Kroacisë, ku Maxhuni ishte koshashënuesi më i mirë i ekipit dhe shënoi treshen që theu Kroacisë. Në kualifikueset e Kupës së Botës (2021–23), të cilat ofruan një seri prej shtatë fitoresh, Maxhuni e ka çimentuar njëherë e mirë vendin e tij si fundor te Finlanda.

“Më duhet ta respektoj shumë sistemin finlandez të ekipit të rinjve, ku e njëjta mënyrë e lojës mësohet që në moshë shumë të vogël. Pasi të vendoset themeli, është shumë më e lehtë të bashkohesh me ekipin e seniorëve”, shprehet Edoni. “Sigurisht në vitet e para ishte e vështirë t’i këshilloje djemtë më të mëdhenj se në cilën anë të fushës duhet të vendoseshin, por është pjesë e rolit tim dhe duhet të kesh guximin të thuash dhe të komunikosh. Tani kjo më vjen shumë më natyrshëm”.

Të premten Maxhuni do të luajë me Finlandën ndeshjen e parë në “Eurobasket 2022”. Finlanda prej orës 15:00 përballet me Izrealin në “A2 Arena” të Pragës, që do të jetë e stërmbushur pasi tashmë janë shitur të gjitha biletat. Kjo ndeshje i takon Grupit D, të cilin e përbëjnë edhe Holanda, Polonia, Çekia, Izraeli e Serbia. Për Edonin do të jetë debutim në këtë turne të madh.

“Me siguri do të ndihem si një fëmijë në një dyqan ëmbëlsirash”, tha Maxhuni, duke qeshur kur u pyet se si e sheh veten në Eurobasket.

Si adhurues i madh i basketbollit, Maxhuni ka ndjekur Finlandën në këtë garë prestigjioze, që nga ndeshjet e vitit 2011 në Lituani e deri në Evropianin e mbajtur në vitin 2017 në Helsinki. Kanë kaluar pesë vjet që nga Eurobasketi i mëparshëm dhe tashmë Edoni është në një situatë që e ka ëndërruar prej shumë vjetësh.

“Po më mbarojnë fjalët, është e pabesueshme. Jam vërtet krenar që mund ta përfaqësoj Finlandën në këtë nivel. Në të njëjtën kohë unë jam vetëm lojtari i tretë apo i katërt nga Kosova që kam luajtur në një ngjarje kaq të madh dhe kjo do të thotë shumë për familjen time. Thjesht më duhet ta shijoj këtë moment”, shtoi Maxhuni.

Te Finlanda, Maxhuni ka dëshmuar vlerat e tij, por Eurobasketi është skenë e madhe. Është një dritare që mund t’i siguroj klub për sezonin e ri, pasi Maxhuni është një nga lojtarët e paktë që është i lirë.

“Isha afër nënshkrimit të kontratës, por kam qenë në kërkim të alternativës së duhur. Tani jam i fokusuar të luaj mirë dhe të fitoj me fanellën e Finlandës dhe në fund e pres rezultatin me emrat e ekipeve që do të më kërkojnë. Nëse do të kem sukses këtu, sigurisht që do të ketë ekipe të interesuara”, tha Maxhuni, që ka bërë karrierë në Spanjë, Estoni e Holandë.

Related Articles