Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me zëvendësin e tij Besnik Bislimi janë nisur sot drejt Brukselit, ku nesër do të mbahet takimi i radhës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Në agjendë do të jetë çështja e të pagjeturve dhe tema e nxehtë e Asociacionit.
Në takim, pritet të prezantohet drafti i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe që do ta bëjë një ekip i emëruar nga qeveritë e Kosovës në të kaluarën, por që nuk ka pranuar të takohet me qeverinë aktuale, shkruan Gazeta Sinjali.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk do të lejojë krijimin e një forme të Republikës Srpska në Veri të Kosovës ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq vazhdimisht ka deklaruar se formimi i Asociacionit është kusht për rikthimin e zyrtarëve të komunitetit serb në institucionet e Kosovës.
Ekipi Menaxhues është i njohur për publikun si titull por jo edhe personat që janë pjesë e tij. Ky ekip, që është paraparë në Marrëveshjen e vitit 2013 për normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë, ka për qëllim të hartojë statutin për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Deri tani, ky ekip do të duhej të takohej me Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, por që s’e ka bërë. Kështu njoftoi edhe vetë ministri i këtij dikasteri, Elbert Krasniqi.
“Ju njoftoj se të martën me 18 prill, si ministër unë i jam drejtuar me ftesë për takim këtij grupi. Ftesë kjo që nuk ka marrë përgjigje”, tha ai në një njoftim në Facebook.
Pothuasje të njëjtën gjë e kishte thënë edhe javë më parë. “Çfarë mund të ndaj në këtë moment me juve është që nuk ka asnjë veprim të ndërmarrë deri në këto momente, si ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal në këtë drejtim”.
Para se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të merrte drejtimin e ekzekutivit kosovar, kjo ministri udhëhiqej kryesisht nga serbët, që ishin pjesë e qeverive të Kosovës. Disa nga ish-ministrat ishin edhe kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq, dhe anëtarë të tjerë të këtij subjekti – që është subjekti më i madh i serbëve në Kosovë – sikurse Ivan Todosijeviq dhe Lubomir Mariq.
Ekipi Menaxhues duhet të përbëhet nga përfaqësues të katër komunave në veri të Kosovës, që banohen me shumicë serbe.
Ministri Elbert Krasniqi tha se vetëm dy anëtarë të Ekipit Menaxhues, janë të njëjtë nga përbërja fillestare: Igor Kalamar dhe Dejan Radojkoviq.
“Dy tjerë janë ndryshuar vazhdimisht. Danijella Vujiçiq është anëtarja më e re e këtij ekipi, sipas vendimit të vitit 2020. Njëherësh, ajo është emëruar edhe si koordinatore e Ekipit Menaxhues”, tha Krasniqi.
Danijella Vujiçiq është deputete e Kuvendit të Serbisë nga radhët e Partisë Progresive Serbe në pushtet. Ajo vjen nga Mitrovica e Veriut, një prej katër komunave në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.
Këshilli i Sigurimit në mbledhjen e OKB-së, të mbajtur sot kërkoi themelimin e Asociacionit
Pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Federata Ruse dhe Kina kanë kërkuar zbatimin e Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe.
Ndryshe, në Bruksel më 2 maj Ekipi Menaxhues do të prezantojë draft-statutin për formimin e Asociacionit gjatë takimit të nivelit të lartë të dialogut midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, takim që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Më 25 prill, Kurti deklaroi se anëtarët e këtij ekipi nuk janë të njohur për publikun, ashtu siç nuk dihet as përmbajtja e statutit që ata kanë hartuar. Ai deklaroi se kishte shprehur gatishmërinë e tij që vetë të shkruante statutin për themelimin e Asociacionit, por nga BE-ja i ishte thënë se kjo është detyrë e Ekipit Menaxhues.