Ekskluzive: Suedia të premten pritet të anëtarësohet zyrtarisht në NATO

Ekskluzive: Suedia të premten pritet të anëtarësohet zyrtarisht në NATO

Të premten, më 1 mars pritet që Suedia të bëhet zyrtarisht pjesë e NATO-s, duke u bërë kështu vendi i 32-të që i bashkohet aleancës ushtarake perëndimore, shkruan Gazeta Enigma.

Kështu bëjnë të ditur burime të Gazetës Enigma, ku theksohet se tashmë po bëhen përgatitjet për ceremoninë e anëtarësimit.

Pas orës 09:00 të mëngjesit pritet të mbahet ceremonia e anëtarësimit të Suedisë në NATO, thuhet në një email që e ka siguruar Gazeta Enigma.

Ndërkohë ky hap vjen pasi Parlamenti i Hungarisë e ka miratuar të hënën projektligjin që i mundëson Suedisë anëtarësimin në NATO.

Hungaria ka qenë vendi i vetëm prej 31 vendeve anëtare të NATO-s që e ka bllokuar anëtarësimin e këtij vendi nordik në aleancën veriatlantike.

Ligjvënësit kanë votuar me 188 vota për dhe gjashtë kundër.

Përderisa Suedia ka dërguar forca në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare, shteti nuk ka zhvilluar luftë për më shumë se 200 vjet.

Konflikti i fundit që ishte zhvilluar ishte lufta suedeze-norvegjeze më 1814.

Pavarësisht neutralitetit, Suedia ka ndjekur një politikë të jashtme aktive, ka qenë shtet me nivel të lartë të respektimit të të drejtave të njeriut dhe donatorja më e madhe për kokë banore, dhe për këtë shpesh shteti është quajtur “superfuqi humanitare”. /GAZETA ENIGMA/.

Related Articles