Këtë të enjte në Kuvendin e Kosovës do të diskutohet për vendosjen e çmimit tavan për produktet esenciale, shkruan Gazeta Enigma.
Kjo gjë u bë e ditur nga shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.
Në lidhje me këtë çështje Gazeta Enigma ka kontaktuar me ekspertin e ekonomisë Safet Gërxhaliu i cili ka deklaruar se Kosova ka humbur betejën në luftë me inflacionin.
Tutje ai ka shtuar se problemi më i madh është që e kemi një politizim të krizës.
‘’Është e vërtet që Kosova e ka humb betejën në luftë me inflacionin nga vet fakti që kriza si krizë nuk është pranuar nga institucionet’’, tha Gërxhaliu.
‘’Përderisa kriza nuk pranohet atëherë e ke shumë të vështirë me gjet strategji dalëse apo strategji për të minimizuar efektet e kësaj krize’’, tha ai për Enigmën.
Sipas tij ne jemi në një situatë ku më tepër përflitet sesa që ka gatishmëri për tu bërë. Çdo ngrirje apo çdo ‘’pllafun’’ duhet të analizohet të aspektin kushtetues, duhet të analizohet në aspektin e ekonomisë së tregut.
‘’Në rend të dytë problem më i madh është që e kemi një politizim të krizës dhe e treta që është më shqetësuese është fakti që derisa vendet e Evropës që ekonomikisht janë më të fuqishme kanë hartuar strategji për të parandaluar efektet e krizës, në Kosovë ka ndodhur e kundërta’’, tha Gërxhaliu.
Tutje ai ka shtuar se ‘’këtu janë promovuar të rritura rekorde të të hyrave ku janë promovuar performancë të shkëlqyera të doganave dhe ATK-së si një rritje ekonomike, ku e tëra ka ndikuar në radhë të pare në pakënaqësi te masa’’.
‘’Tani jemi në një situatë ku më tepër përflitet sesa që ka gatishmëri për tu bërë. Duhet të kuptohet që çdo ngritje, çdo ngrirje apo çdo ‘’pllafun’’ duhet të analizohet të aspektin kushtetues, duhet të analizohet në aspektin e ekonomisë së tregut dhe në fund të fundit duhet të kuptohet e vërteta që në Kosovë sektori privat në veçanti fuqia e tregtarëve ka bërë shumë hapa më të avancuar se sa politika’’, ka deklaruar Gërxhaliu për Gazetën Enigma.
Sipas ekspertit të ekonomisë tani është koha për një dialog të mirëfilltë publiko-privat, është koha kur duhet të kemi një qasje pro biznes dhe jo bizneset të shikohen si për tu dënuar dhe për tu dëmtuar.
‘’Besoj që asnjë biznesmen nuk e lejon të punoj apo ta aprovoj një humbje dhe në këtë drejtim do të ketë një balance në mes të ofertës dhe kërkesës sepse shumë mallra do të mbesin në stoqe dhe nuk do të shiten kur e dimë që ato do shkaktojnë ulje’’, tha ai.
‘’Prandaj besoj se është koha për një dialog të mirëfilltë publiko-privat, është koha kur duhet të kemi një qasje pro biznes dhe jo bizneset të shikohen si për tu dënuar dhe për tu dëmtuar’’, ka përfunduar Gërxhaliu.
/Gazeta Enigma/