Ndonëse është ofruar në draft-Statut i Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe në fund të tetorit, për të cilin janë pajtuar edhe pala kosovare edhe ajo serbe, ekspertja dhe studiuesja në institutin gjerman “Stiftung Wissenschaft und Politik”, Marina Vuloviq, nuk beson që ky institucion tejet kontraverz do të jetësohet; së paku jo edhe për disa vite.
Kjo për shkak të situatës zgjedhore që nis nga viti i ardhshëm edhe në Bashkimin Evropian edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës; e pa presionin e të cilëve Qeveria e Kosovës nuk do të merrte as mundin për ta zbatuar.
Vuloviq nga SWP – institut ky i cili këshillon Bundestagun dhe Qeverinë Gjermane për politikë të jashtme – në një intervistë me Nacionalen nuk e përjashton se mund të ketë “një shtysë të fundit” nga euro-amerikanët në këtë drejtim; por edhe kjo thotë se “është e diskutueshme”.
Sfida e përnjëmendtë e Kosovës, na thotë Vuloviq, nuk është mosnjohja nga Serbia: “por, nga pesëshja mosnjohëse e BE-së”.
Sepse, njohja nga këto pesë shtete “do të jetë përcaktuesi” i integrimit të Kosovës në strukturat e larta evropiane. Andaj, thotë ajo, përpjekjet duhet të drejtohen saktësisht andej.
Rreth përfshirjes së Rezolutës 12/44 që është e përfshirë në Preambulë të draft-Statutit, Vuloviq e sheh krejtësisht “në linjë me gjuhën juridike të BE-së ndaj Kosovës” teksa rikujton që Kosovës i referohen me asterisk edhe në raportimet vjetore.
Ndërkaq për ngulkëmbjen e kryeministrit kosovar për “nënshkrim” të Marrëveshjes Bazë; Marina Vuloviq e quan taktikë bllokimi të mëtejmë të zbatimit të marrëveshjes; e që sipas saj, dëshmon mosvullnetin edhe të Kosovës dhe të Serbisë për të zbatuar marrëveshjen.