Andin Hoti, ministër për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, ka reaguar lidhur me ekspozitën në shesh të Prishtinës, për Masakrat në Kosovë, ku mes tjerash thuhet se në masakrën e Dubravës janë vrarë 48 shqiptarë të armatosur. Për këtë, Hoti ka thënë se është i papranueshëm ekspozimi i materialeve me pasaktësi, dhe se kjo cenon të vërtetën historike, .
Hoti, në reagimin e tij, thekson pasaktësi edhe në masakrën në Krushë të Madhe, duke thënë se aty, përveç pasaktësive në numrin e viktimave, paraqitet edhe një narrativë e rrezikshme dhe e pavërtetë, sipas së cilës gratë dhe fëmijët kinse janë lejuar të largohen, ndërsa burrat janë vrarë, gjë e cila, thekson ministri Hoti, nuk qëndron.
“Këto nuk janë gabime të thjeshta teknike, por shtrembërime që rrezikojnë të relativizojnë krimet dhe të përforcojnë narrativa të rreme. Si Ministër i Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, bëj thirrje për: – Tërheqjen e menjëhershme të materialeve që përmbajnë pasaktësi; – Verifikim institucional të plotë të përmbajtjes së ekspozitave publike për krimet e luftës’’, ka shkruar Hoti mes tjerash.
Postimi:
Ekspozimi në sheshin e Prishtinës i materialeve me pasaktësi për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, është i papranueshëm dhe cenon drejtpërdrejt të vërtetën historike.
Në kuadër të një ekspozite publike për masakrat e luftës 1998/99, janë evidentuar raste ku faktet janë paraqitur gabimisht dhe, në disa raste, edhe në mënyrë të shtrembëruar.
Në rastin e masakrës në Krushë të Madhe, përveç pasaktësive në numrin e viktimave, paraqitet edhe një narrativë e rrezikshme dhe e pavërtetë, sipas së cilës gratë dhe fëmijët kinse janë lejuar të largohen, ndërsa burrat janë vrarë.
Kjo nuk qëndron.
Në Krushë të Madhe janë vrarë edhe gra, përfshirë gra shtatzëna, çka e rrëzon çdo përpjekje për ta paraqitur këtë krim si një veprim “selektiv”.
Në rastin e masakrës në Burgun e Dubravës, numri i viktimave nuk përputhet me të dhënat e konfirmuara, ndërsa paraqitja e disa prej tyre si “persona të armatosur” është plotësisht e pavërtetë. Të burgosurit shqiptarë kanë qenë civilë, të pambrojtur dhe nën kontroll të plotë të forcave serbe.
Këto nuk janë gabime të thjeshta teknike, por shtrembërime që rrezikojnë të relativizojnë krimet dhe të përforcojnë narrativa të rreme.
Si Ministër i Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, bëj thirrje për:
– Tërheqjen e menjëhershme të materialeve që përmbajnë pasaktësi;
– Verifikim institucional të plotë të përmbajtjes së ekspozitave publike për krimet e luftës.
Në të njëjtën kohë, ftoj institucionet përgjegjëse, përfshirë Prokurorinë e Shtetit dhe mekanizmat për hetimin e krimeve të luftës, që të shqyrtojnë këtë çështje.
E vërteta për krimet e kryera në Kosovë nuk mund dhe nuk duhet të shtrembërohet.
Ajo është themel i drejtësisë dhe detyrim ndaj viktimave, familjeve të tyre dhe historisë sonë.
