Të mërkurën e 5 marsit në ora 21:00 është përmbyllur procesi i numërimit të votave për zgjedhjet e 9 shkurtit, raporton Gazeta “Enigma”.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, në një përgjigje për Gazetën ‘Enigma” ka deklaruar se KQZ është e obliguar që të presë të paktën 48 orë para se të shpall rezultatet përfundimtare.
“Sipas nenit 105 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, KQZ është e obliguar që të presë të paktën 48 orë para se të shpall rezultatet përfundimtare të Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës”, tha ai.
Tutje ai ka njoftuar se afati prej 48 orëve llogaritet nga ora 21:00 e së mërkurës.
“Ky nen, parasheh mundësinë që në PZAP, në një afat brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar, të paraqiten ankesat për administrimin e numërimit që është zhvilluar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve”, deklaroi Elezi.
Kujtojmë se bazuar në rezultatet preliminare, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 40.90 %, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 22.04 %, Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.64 %, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate, Konservatorët, Intelektualët me 7.46 %. /Gazeta Enigma/