Elezi: Sot vazhdon numërimi i pjesës tjetër nga votimi me postë

Elezi: Sot vazhdon numërimi i pjesës tjetër nga votimi me postë

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka njoftuar të martën në mbrëmje se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, është përmbyllur numërimi i fletëvotimeve që i takojnë votimit me kusht dhe votimit të personave me nevoja të veçanta.

Elezi deklaroi se “të martën, më 6 janar, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë numëruar fletëvotimet e 57 vendvotimeve, në të cilat më 28 dhjetor u mundësua votimi me kusht, si dhe janë numëruar 37 kutitë e votimit brenda të cilave janë vendosur fletëvotimet nga votimi i personave me nevoja të veçanta, votimi i të cilëve është mundësuar ditën e zgjedhjeve përmes ekipeve mobile”.

Sipas tij, të martën në mbrëmje derisa numërimi i këtyre fletëvotimeve nga këto dy lloje votimi ishte në përfundim e sipër, KQZ ka filluar numërimi i pjesës së dytë të fletëvotimeve që i takojnë votimit jashtë Kosovës, respektivisht votimit përmes postës. Ky proces është duke vazhduar edhe sot.

“Pra, në vazhdim të procesit të numërimit do të përfshihen fletëvotimet nga votimi përmes postës të tërhequra më 2 dhe 5 janar 2026 nga kutitë postare jashtë Kosovës”, tha Elezi.

Sipas njoftimit të KQZ-së, më 2 janar, nga kutitë postare në Pragë, Londër, Paris, Zagreb, Stokholm, Stamboll, New York, Kanbera dhe Kopenhagë, janë tërhequr 8,180 pako të tjera me fletëvotime, ndërkaq më 5 janar, nga 13 kutitë postare, në: Tiranë, Berlin, Vjenë, Bernë, Bruksel, Hagë, Podgoricë, Oslo, Shkup, Otavë, Lubjanë, Romë dhe Prishtinë, janë tërhequr 11,867 pako me fletëvotime. Pjesa më e madhe e tyre janë sjell në Kosovë.

Ndërkaq, fletëvotimet e numëruara më herët në QNR (3 – 5 janar 2026) dhe që i takonin votimit përmes postës, ishin pjesë e më shumë se 28 mijë pakove me fletëvotime që ishin tërhequr nga KQZ para vitit të ri.

Related Articles