Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka reaguar pas emërimit të Luljeta Aliut si anëtare në Komisionin e Pavarur për Media.
Krasniqi ka thënë për Aliun se është një militante e deklaruar politike e Vetëvendosjes.
Kjo qeveri, sipas Krasniqit dëshmoi edhe njëherë se është në mision për të penguar fjalën e lirë duke synuar kapjen e mediave.
“Media e lirë dhe e pavarur është një nga platformat e rëndësishme jopolitike, e cila, përveç që informon qytetarët, monitoron dhe mban përgjegjës pushtetin në raport me politikat dhe veprimet që bien ndesh me ligjin dhe qeverisjen e mirë”, ka shkruar ndër të tjera Krasniqi.
Postimi i plotë i Krasniqit:
Mediat, deri sot, u kanë penguar vetëm qeverive autokratike dhe, natyrisht, qeverive të dështuara, të cilat, përveç aferave dhe degradimit nuk prodhojnë asgjë tjetër.
Me emërimin e Luljeta Aliut si anëtare në Komisionin e Pavarur për Media, një militante e deklaruar politike e Vetëvendosjes, kjo Qeveri dëshmoi edhe një herë se është në mision për të penguar fjalën e lirë duke synuar kapjen e mediave.
Media e lirë dhe e pavarur është një nga platformat e rëndësishme jopolitike, e cila, përveç që informon qytetarët, monitoron dhe mban përgjegjës pushtetin në raport me politikat dhe veprimet që bien ndesh me ligjin dhe qeverisjen e mirë.
Vetëm një pushtet i korruptuar dhe autokrat synon kontrollin politik të mediave dhe të institucioneve të pavarura e, fatkeqësisht, kjo po ndodhë tash e dy vjet në vendin tonë.
Larg duart nga mediat!