Emrat e ambasadorëve të sapo emëruar nga Qeveria

Emrat e ambasadorëve të sapo emëruar nga Qeveria

Pas sagës së vonesave në emërimin e ambasadorëve të rinj, Gazeta “Enigma” nga burime brenda ekzekutivit merr vesh se IIlir Dugolli, është emëruar ambasador në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Valdet Sadiku në Slloveni, Martin Berisha në Kroaci dhe Skender Durmishi në Shqipëri, shkruan Gazeta “Enigma”.

Këta janë ambasadorët e rinj të Kosovës, ndonëse Ministria e Punëve të Jashtme nuk kanë kthyer përgjigje kur janë pyetur rreth kësaj çështje.

Ngecja e MPJ-së në emërimin e ambasadorëve

Në fillim të shtatorit, kryetari i Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë nga radhët e LVV-së, Haki Abazi tha se procesi i emërimit të ambasadorëve pritet të përfundojë javët në vazhdim.

Megjithatë, as pas katër javësh nuk ka asnjë emërim.

Anëtarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Ariana Musliu – Shoshi për Gazetën “Enigma”, ka thënë se Qeveria e Kosovës me mos emërimin e ambasadorëve po shkel premtimet e bëra para ardhjes në pushtet.

“Pas shumë përpjekjeve që të marr përgjigje nga ministrja Gërvalla përmes pyetjes parlamentare në Kuvendin e Kosovës nuk pata sukses, sepse ajo mungonte gjithmonë, pyetjen e adresova te kryeministri. Siç e kujtoni përgjigja e kryeministrit ishte që së pari do të bëhet ndryshimi i projektligjit për shërbim të jashtëm, ku përfaqësimi do të jetë 70% e shefave të misioneve do të jenë të karrierës dhe vetëm 30% do të jenë politik. Sipas programit legjislativ ky projektligj do të duhej të vinte në Komision më datë 31 qershor 2021 dhe kjo nuk ka ndodhur. Pra refoma në MPJD e propozuar nga z. Kurti dhe znj. Gervalla nuk do të ndodh dhe do të emerohen ambasador me përqindje siç ishin edhe në qeverisjet e kaluara”, ka thënë ajo,

Kësisoj deputetja Musliu – Shoshi thekson se mungesa e ambasadorëve në shtete kyqe e dëmton imazhin e Kosovës.

“Një situatë e tillë në politikë e jashtme do të krijoj dëme të pariparueshme për imazhin e Kosovës në botë po ashtu edhe në konsolidimin e mëtejmë të shtetit tonë. Në vazhdimësi e kam ngritur zërin sa i përket çështjes se përfaqësimit tonë në botë e posaçërisht emërimit te ambasadoreve në shtetet me rëndësi të veçantë në politiken botërore siç është Washingtoni, Brukseli, Berlini, Londra, Tokyo, Kanberra e shumë shtete të tjera në botë. Padyshim, se shkarkimi i ambasadoreve e dëmton rënd Kosovën sidomos tani kur kanë mbetur edhe 4 ditë deri në skadimin e moratoriumit nga Marrëveshja e Uashingtonit”, ka deklaruar ajo.

Tutje ajo ka thënë se nevojitet lobim serioz tek këto shtete me qëllim që Kosova të arrij anëtarësimin në organizata ndërkombëtare

“Pa pasur misione të konsoliduara me staf profesional dhe lobim serioz për ne si shtet i vogël është i pamundur anëtarësimi në organizata ndërkombëtare. Kujtojmë që në raportimin e Ministres Gervalla në Komisionin për Punë te Jashtme në muajin qershor, kishte premtuar se ambasadoret do të emërohen deri më datën 31 gusht 2021. Andaj, mos emërimi i ambasadoreve të rinj tregon papjekurinë e qeverisë Kurti karshi diplomacisë  kosovare dhe tregon qasje jo serioze ndaj shteteve mike, e acarim të marrëdhënieve si në rastin me shtetin e Australisë”, shtoi tutje ajo.

Çka thotë ligji për ambasadorët?

Ndërkaq, më 19 maj të këtij viti Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) i ka propozuar Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani të lirojë nga detyra dhe tërheqje nga misioni diplomatik për të gjithë ambasadorët e Republikës së Kosovës, të cilët janë të emëruar politikisht.

Sipas ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik, së paku pesëdhjetë për qind të emërimeve të Ambasadorëve dhe Shefave të Misioneve duhet të bëhet nga anëtarët në detyrë të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës.

Pjesa tjetër e të emëruarve mund të jenë të emëruar politikë.

“Të emëruarit në pozitën e Ambasadorit dhe Shefit të Misionit që nuk janë anëtarë në detyrë të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës shërbejnë vetëm për një mandat, dhe pas përfundimit të këtij mandati, nuk konsiderohen pjesë e Shërbimit të Jashtëm”, thuhet në ligj./Gazeta Enigma.

Related Articles