Në qendrën më të madhe të votimit në Zubin Potok, atë 2813b, që është në rrugën Mitrovicë-Bërnjak, në dalje të Zubin Potokut, ende nuk ka asnjë votues, pavarësisht se gjithçka ka filluar në kohë.
Kryesuesi i kësaj qendre të votimit, Ferid Shabani, deklaroi para mediave se në këtë qendër të drejtë vote kanë 4 mijë e 111 votues, ndërsa pritshmëritë e tyre janë që të dalin pak më shumë se 300.
“Sa i përket daljes së votuesve nga 4 mijë e 111 votues për momentin nuk mund të them ndonjë parashikim se sa do të dalin, por shpresojmë që të paktën 8% do t’i përgjigjen nga numri i tërësishëm i votuesve. Sipas parametrave dhe sondazheve të bëra nga mediat e ndryshme dhe analizave të njerëzve që merren këto punë”, deklaroi Shabani, raporton KP.
Sa i përket sigurisë, Shabani tha se gjithçka është qetë.
“Sa i përket çështjes së sigurisë për momentin gjithçka është n rregull dhe shpresojmë ashtu siç ka filluar edhe do të përfundojë”, tha ai.
Ndërsa, në këtë qendër këtë mëngjes është thënë se nuk ka asnjë vëzhgues, as nga subjektet politike e as nga organizatat joqeveritare.