Enver Dugolli intervistohet nga Prokuroria Speciale

Enver Dugolli intervistohet nga Prokuroria Speciale

Enver Dugolli nga Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se është intervistuar sot në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës si i pandehur për akuza të “nxitjes së urrejtjes”.

Padi kundër tij është ngritur nga pjestari i Policisë së Kosovës, Shpend Istogu, i biri i Ajet Istogut.

Dugolli thotë se gjatë viteve ’80 ka qenë viktimë e dhunës fizike, psikike dhe emocionale nga Ajet Istogu dhe se kjo dhunë ka lënë pasoja edhe në shëndetin e tij.

“Padia është ngritur nga një pjesëtar i Policisë së Kosovës, Shpend Istogu, djali i ish-oficerit famëkeq të UDB-së, Ajet Istogu, i njohur për torturat e rënda ndaj të rinjve, intelektualëve dhe punëtorëve shqiptarë gjatë viteve ’80”, ka shkruar Dugolli.

Ai ka shtuar se për familjarët që ngrenë padi, nuk ka kërkuar të mbrojnë krimet e të afërmit të tyre, por të tregojnë pak dinjitet, qoftë edhe në formën e heshtjes.

“Unë nuk kam çfarë të tërheq nga ajo që kam deklaruar. Përkundrazi, kam bërë denoncime publike dhe do të vazhdoj t’i bëj. Unë prisja të intervistohesha si viktimë dhe dëshmitar i krimeve të rënda të kryera ndaj të burgosurve politikë … Nuk e kam pritur kurrë të intervistohem për këso lloj pretendime …”, ka shkruar Dugolli.

Në të kaluarën, Dugolli ka përmendur emrat e disa shqiptarëve që sipas tij kanë punuar për UDB-në dhe kanë kryer tortura. Ndër emrat që ka përmendur janë: Ajet Istogu, Isa Bunjaku, Lutfi Ajazi, Hamëz Hajra dhe Tahir Shala.

Related Articles