Erdogan s’ndryshon qëndrim për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO

Erdogan s’ndryshon qëndrim për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, edhe një herë ka thënë se vendi i tij nuk e miraton kërkesën e Finlandës dhe Suedisë për anëtarësim në NATO.

Erdogan në një konferencë për media, ka theksuar se delegacionet e Suedisë dhe Finlandës “nuk duhet ta lodhin veten” që të shkojnë në Ankara për t’i bindur që të jenë pro anëtarësimit të tyre në NATO.

“Ata do të vijnë në Turqi të hënën. A po vijnë të na bindin? Më falni, por ata nuk duhet të lodhen”, deklaroi Erdogan.

Madje, presidenti turk e cilësoi Suedinë “çerdhe” për organizatat terroriste, duke shtuar se ka terroristë edhe në parlamentin e saj.

“Asnjëra nga këto vende nuk e ka një qëndrim të qartë karshi organizatave terroriste. Si mund t’iu besojmë atyre?”

Autoritetet e Suedisë kanë thënë më herët se zyrtarë të lartë të Suedisë dhe Finlandës planifikojnë të udhëtojnë në Turqi për të biseduar lidhur me kundërshtimet e Ankarasë për anëtarësimin e tyre në aleancën veriatlantike./Gazeta Enigma/

Related Articles