Emisari i SHBA-ve për Ballkanin, Gabriel Escobar është pyetur se pse në letrën e presidentit amerikan, Joe Biden, për 15-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, kur është përmendur njohja reciproke është përdorur shprehja “qëllim përfundimtar”.
“Propozimi evropian nuk është për njohjen reciproke, por për normalizim. Pse ne e mbështesim këtë propozim tani, nuk nënkupton se ne nuk besojmë në idenë që për të qenë një rajon i shëndetshëm dhe që të lirohet nga incidentet e viteve ’90, ne besojmë që të gjitha shtetet e rajonit duhet ta njohin njëra-tjetrën për të pasur raporte të plota dhe pozitave”, ka thënë Escobar.
“Prandaj e kemi përdorur shprehjen ‘përfundimtare’, pra që njerëzit ta kuptojnë që ne nuk po synojmë ndryshimin e draftit të propozimit të BE-së, por edhe që nuk kemi lëvizur nga qëndrimi ynë për synimet përfundimtare për Ballkanin Perëndimor”, ka shtuar ai.
Në propozimin evropian nuk përmendet decidivisht njohja e ndërsjellë. Megjithatë, në nenin dy të këtij propozimi shkruan se palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës.
SHBA-ja ka mbështetur propozimin evropian, që fillimisht u ishte dorëzuar palëve në shtatorin e vitit të kaluar.
Escobar ka thënë se Ballkani Perëndimor mbetet prioritet për SHBA-në dhe ajo dëshiron të shfrytëzojë lidhjet e mira me këto shtet për të krijuar raporte të mira mes këtyre shteteve të rajonit.
Kosova dhe Serbia që nga viti 2011 zhvillojnë negociata për të arritur normalizimin e plotë. Megjithatë, palët kanë pikëpamje të ndryshme sa i përket marrëveshjes përfundimtare. Kosova insiston në njohje reciproke, e Serbia në një zgjidhje kompromisi, pa treguar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.
Escobar është pyetur edhe nëse e ka ndryshuar kriza në Ukrainë qasjen e Serbisë ndaj Rusisë dhe a mund të ketë ndikim kjo situatë në raport me Kosovën.
Ai ka thënë se lufta në Ukrainë e ka vënë fokusin në kërcënimet ndaj stabilitetit në Evropë.
“Mendoj që shumë njerëz, jo vetëm Serbia, janë duke shikuar se si jemi duke i zgjidhur problemet brenda kontinentit evropian, në mënyrë që të përballemi më lehtë me kërcënimet që vijnë prej jashtë. Sa i përket Serbisë, më duhet të them se ky shtet e ka konfirmuar se synimi përfundimtar është që të jetë pjesë e Bashkimit Evropian”, ka theksuar ai.
Serbia është kritikuar nga bashkësia ndërkombëtare për refuzimin që të vendosë sanksione ndaj Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës. Beogradi – që gëzon raporte të mira me Moskën – është i vetmi kryeqytet i Ballkanit Perëndimor që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, pavarësisht se ka votuar për disa rezoluta të Kombeve të Bashkuara që dënojnë pushtimin rus të Ukrainës.