I Dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, ka kritikuar ashpër Qeverinë e Republikës së Kosovës në krye me Albin Kurtin, duke thënë se deklaratat e bëra nga zyrtarët e SHBA-së në mënyrë publike flasin mjaftueshëm qartë se ku po shkojnë raportet diplomatike dhe politike në mes të dyja vendeve.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Escobar ka thënë se sa herë flasin për Kosovën me shtetet tjera, veçanërisht ato që s’e njohin ende pavarësinë e saj, e shohin se Kosova s’po përmbush obligimet e saj në dialog me Serbinë.
“Mendoj se ambasadori (Jeffrey) Hovenier) e ka thënë më së miri – kjo e ndërlikon kapacitetin tonë për të ndihmuar Kosovën të integrohet në komunitetin transatlantik. Sa herë që flasim për Kosovën me partnerët tjerë, veçanërisht me ata që nuk e njohin, ata shohin se Kosova nuk i përmbush obligimet e saj në dialog nën ombrellën e BE-së, e cila përfaqëson të gjithë BE-në. Prandaj, na e vështirëson mbrojtjen e argumenteve të Kosovës në çfarëdo mënyre, përfshirë anëtarësimin në BE dhe NATO, Këshillin e Evropës dhe shumë organizata të tjera”, ka thënë ai.
Sipas tij, formimi i Asociacionit është obligim dhe sa i përket SHBA-së ai duhet të përmbushet, përfshirë edhe zgjidhjen e çështjes së dinarit në mënyrë transparente dhe në përputhje me ligjet e Kosovës.