Dhomat e Specializuara të Kosovës nuk kanë një datë të saktë se kur do të shpallet vendimi për katër ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Zëdhënësi i gjykatës me seli në Hagë, Michael Doyle, tha në një konferencë me gazetarë se, sipas rregullave, supozohet që vendimi të merret brenda tre muajsh pasi të përmbyllet procesi.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, janë deklaruar të pafajshëm për akuzat.
“Është në duart e gjyqtarëve. Por, ka afate të përcaktuara. Deklaratat përmbyllëse pritet të përmbyllen më 13 shkurt [2026]. Rregullat thonë se gjykatësit më pas kanë 90 ditë kohë për të marrë vendimin dhe për ta shpallur atë. Pas kësaj, ka një nen edhe për një zgjatje tjetër prej dy muajsh për marrje të vendimit dhe në raste të jashtëzakonshme mund të jetë edhe më gjatë. Nuk kam arsye specifike të pres që të jetë më gjatë se kaq, por thjesht nuk e dimë. Supozimi, sipas rregullave, është tre muaj dhe nëse do të ketë zgjatje të afatit, atëherë gjykatësit do të jepnin një shpjegim dhe arsye”, tha Doyle.
Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi janë në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020.
Gjykimi ndaj tyre nisi në prill të vitit 2023. Fillimisht, Zyra e Prokurorit të Specializuar thirri në gjykatore 125 dëshmitarë, ndërkaq 117 të tjerë dorëzuan dëshmitë e tyre me shkrim.
Në shtator të këtij viti, mbrojtja e Thaçit nisi paraqitjen e provave, ndërkaq ajo e Krasniqit kishte paralajmëruar dy dëshmitarë në sallë dhe dy dëshmi me shkrim. Veseli dhe Selimi nuk do të paraqesin prova.
Në mesin e dëshmitarëve të mbrojtjes ë Thaçit që u paraqitën në Hagë ishin kryesisht zyrtarë të lartë perëndimorë me njohuri të drejtpërdrejtë të ngjarjeve. Aty u përfshin ish-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, James Rubin, dhe gjenerali amerikan në pension, Welsley Clark, i cili udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe më 1999.
Para deklaratave përmbyllëse, palët do të dorëzojnë dosjet përfundimtare deri më 30 janar.
Ndërkaq, Thaçi po përballet edhe një rast tjetër për pengim të drejtësisë. Michael Doyle tha se përderisa nuk dihet ende numri i dëshmitarëve është e vështirë të dihet se sa mund të zgjasë gjykimi. Ai tha se “nuk pres” që gjykimi të jetë i gjatë sa ai për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
