Misioni evropian për sundim të ligjit në Kosovë, EULEX mirëpret uljen e tensioneve në pjesën veriore të Kosovës dhe rivendosjen e lirisë së lëvizjes për të gjithë ata që jetojnë dhe punojnë në katër komunat veriore pas heqjes së barrikadave ilegale.
Gjatë kohës sa ishin të vendosura barrikadat EULEX thekson se ka qenë në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës për ruajtjen e stabilitetit në këtë pjesë.
Në veçanti theksohet shtimi i patrullimeve dhe pjesëtarëve të Njësisë së Specializuar, furnizimi me ushqim i policëve të Kosovës nëpër pikat kufitare si dhe zëvendësimi u tyre.
Më pastaj nga ky mision përmendin rastin e arrestimit të ish-policit Dejan Pantiq, për çfarë thonë se kanë avokuar për mbrojtjen e të drejtave të tij, kanë lehtësuar transportin e barnave dhe ekzaminimet mjekësore si dhe kanë ofruar mbështetje për transferimin e tij deri tek shtëpia e tij.
“Vakumi i sigurisë dhe i sundimit të ligjit i krijuar pas dorëheqjeve të policëve, prokurorëve, gjyqtarëve dhe personelit mbështetës serb të Kosovës vazhdon. EULEX-i mund ta plotësojë këtë vakum vetëm pjesërisht përmes pranisë së shtuar në terren, por Misioni nuk mund ta zëvendësojë Policinë e Kosovës apo ndonjë autoritet tjetër të sundimit të ligjit. Prandaj, kthimi në marrëveshjet përkatëse të Dialogut që e rregullojnë integrimin në Policinë e Kosovës dhe në gjyqësor është esencial”.