Ish-ushtari i UÇK-së dhe UÇPMB-së, Lirim Jakupi është dënuar me 27 vjet burgim të hënën për vrasjen e B.V. në Gjilan në muajin shtator të vitit 2021, raporton Gazeta “Enigma”.
Aktgjykimi është shpallur të hënën nga një trup gjykues në Gjykatën Themelore në Gjilan.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, të ngritur më 30 shtator 2022, Jakupi dhe Ismajloviq akuzohen se më 12 shtator 2021, pas një përgatitje paraprake, me dashje dhe në bashkëveprim, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin B.V., nga Gjilani dhe kanë vënë në rrezik me dashje jetën e disa personave tjerë që kanë qenë në kafene.
Në këtë seancë ishin prezent edhe familjarët e të ndjerit B.V. të cilët patën edhe një mesazh për të dënuarin.
“Daja me bukë, nipat me plumba. Gjaku nuk bëhet ujë”, thuhej në mesazhin e familjarëve për nipat që vranë dajën.
Si dhe kur ndodhi ngjarja?
Me datë 12.09.2021, në ora 19:42 minuta, në kafiterin Cafe Bar “Premium” në rrugën “William Shakespeare” në Gjilan, të pandehurit L. J. dhe A. I., pas një përgatitje paraprake, me dashje dhe në bashkëveprim, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin B. A. nga Gjilani dhe kanë vënë në rrezik me dashje jetën e disa personave tjerë që kanë qenë në kafiteri dhe afërsi të të ndjerit.
Bashkërisht kanë ardhur me veturën e markës “Audi” A3, të cilën po e drejtonte F. A., ndalen dhe nga automjeti dalin dy të pandehurit të armatosur me armë dhe atë njëri me pistoletë të kalibrit 9 mm, kurse tjetri të kalibrit 7.65 mm dhe nisen në drejtim të kafiterisë dhe me të arritur në vendin e ngjarjes, i afrohen në shpejtësi tani të ndjerit B. A., i cili ishte në shoqëri edhe me dy persona të tjerë ulur duke biseduar dhe me atë rast arrijnë dy të pandehurit me armë në dorë dhe nga distanca rreth një metër, i pari shtënë me pistoletë të kalibrit 9 mm, duke i zbrazur 8 fishekë dhe në vazhdim edhe i pandehuri tjetër me revolën tjetër të kalibrit 7.65 mm, duke e goditur me këtë rast tani të ndjerin B. A. me gjashtë plumba në pjesët vitale të trupit nga të cilat i njëjti ndërron jetë menjëherë në vendin e ngjarjes, kurse të pandehurit pas kryerjes së vrasjes largohen me shpejtësi, shkojnë tek vetura e që ishte duke i pritur dhe nga aty ikin në drejtim të lagjes “Arbëria”.
Më këto veprime të pandehurit L. J. dhe A. I. në bashkëveprim kanë kryer veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. /GAZETA ENIGMA/