Drejtori i FBI-së, Christopher Wray tha të martën se agjencia e tij beson se pandemia COVID-19 ishte “me shumë gjasa” e shkaktuar nga një incident në një laborator në Wuhan të Kinës.
“FBI ka kohë që ka vlerësuar se origjina e pandemisë ka shumë të ngjarë të jetë një incident i mundshëm laboratorik në Wuhan,” tha Wray në intervistë për Fox News.
Komentet e drejtorit të FBI-së vijnë pasi një raport në fillim të kësaj jave tha se Departamenti Amerikan i Energjisë kishte përcaktuar se një rrjedhje nga një laborator kinez ishte shkaku më i mundshëm i shpërthimit të COVID-19.
Sidoqoftë, agjenci të tjera brenda komunitetit të inteligjencës amerikane besojnë se virusi u shfaq natyrshëm në botë.
Gjatë intervistës, Wray akuzoi gjithashtu qeverinë kineze se po përpiqet të frenojë përpjekjet e SHBA-së për të hetuar shkaqet e pandemisë.
“Qeveria kineze ka bërë çmos për të penguar dhe turbulluar punën këtu, punën që ne po bëjmë, punën që po bëjnë qeveria jonë amerikane dhe partnerët e huaj të ngushtë,” tha Wray. “Dhe kjo është për të ardhur keq për të gjithë”.
Zyrtarët kinezë e kanë mohuar me zemërim pretendimin, duke e quajtur atë një fushatë shpifjeje kundër Pekinit.
Kurse, komuniteti shkencor e sheh si thelbësore përcaktimin e origjinës së pandemisë në mënyrë që të luftohet më mirë apo edhe të parandalohet një tjetër.