Klubi shqiptar FC Liria Berlin ka arritur të promovohet në Bundesliga Futsal, duke arritur sukses historik. Kjo njëherësh është një e arritur e jashtëzakonshme e mërgatës shqiptare në Gjermani. Në ndeshjen e zhvilluar sot, ku klubit shqiptar i mjaftonte edhe barazimi, FC Liria Berlin realizoi fitore bindëse, me rezultat 6:1 kundër Sparta Futsal nga Hamburgu.
E për këtë sukses të jashtëzakonshëm, klubin shqiptar e ka përgëzuar edhe kreu i FFK-së, Agim Ademi përmes një postimi në Facebook.
Postimi i plotë i Ademit:
Urime FC Liria Berlin promovimi në Bundesliga Futsal!
Ky sukses i jashtëzakonshëm është shumë i rëndësishëm për këtë klub dhe për komunitetin shqiptar në Gjermani.
Në drejtimin e Sadik Murselit dhe Mahir Gurgules, FC Liria Berlin dëshmoi organizim të shkëlqyeshëm, derisa me punën dhe përkushtimin e madh të lojtarëve dhe stafit të trajnerëve arriti të bëjë historinë, duke u bërë pjesë e Bundesligës.
Kësisoj, FC Liria Berlin u shndërrua në një shembull frymëzues për të gjithë bashkëatdhetarët tanë dhe dëshmon se kur punohet me përkushtim e zell është e mundur të realizohen edhe objektivat madhor.
Në këtë moment të veçantë, në emër të komunitetit të futbollit në Kosovë, dëshiroj t’u shpreh urimet më të sinqerta të gjithë anëtarëve të FC Liria Berlin, duke i inkurajuar për të vazhduar të ndjekin rrugën e sukseseve.