Inspektorët shëndetësorë do të shfaqen së shpejti në spitalet e Vushtrrisë dhe të Ferizajt për inspektim.
Kjo për shkak se këto dy institucione të nivelit dytësor të shëndetësisë kanë mbetur pa biokimistë. Madje nga Ferizaji, i fundit kuadër specialistik i këtillë është larguar në nëntorin e vitit të kaluar, ndërsa në Vushtrri, dy të fundit, ikën tash e një muaj.
Në Inspektorat thonë se gjatë ditëve në vijim do të dalin në terren për të parë gjendjen.
“Në rast të konstatimit të mos-sigurimit të kushteve dhe mos-zbatimit të masave të kujdesit shëndetësor atëherë do të ndërmerren masa konformë dispozitave ligjore në fuqi”, deklaruan nga Inspektorati Shëndetësor.
Ndërkohë, në spitalin e Vushtrrisë thonë se puna po kryhet pa problem nga gjashtë laborantë.
“Laboratorin e kemi funksionalë 24 orë, i cili i kryen analizat në pajtim me detyrat dhe përgjegjësitë e një laboratori të nivelit sekondar në kuadër të shëndetësisë. Duke ju referuar nevojave të pacientëve, Spitali nuk e ka ndërprerë asnjëherë këtë shërbim edhe përkundër sfidave”, tha Abdullah Klinaku, Shef i Zyrës së Personelit nga Spitali i Vushtrrisë.
Veçse shqetësim tani ka edhe menaxhmenti i Spitalit të Gjilanit, i cili aktualisht numëron vetëm një biokimist.
Drejtori Mjekësor, Ukshin Ismajli tha se nga tre specialistë të biokimisë sa i kishin tani në punë e kanë vetëm një, ngase dy prej tyre kanë shkuar të punojnë në sektorin privat.
Ky i fundit thekson se në mungesë të këtij kuadri, edhe shërbimet mund të jenë jo të mira.
Ndërkohë, lidhur me këtë dukuri, spitalet thonë se e kanë njoftuar Shërbimin Spitalor Klinik, dhe po presin hapjen e konkurseve.