Fillon testimi fizik i të rinjve që synojnë të bëhen pjesë e FSK-së

Fillon testimi fizik i të rinjve që synojnë të bëhen pjesë e FSK-së

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka njoftuar se sot ka nisur testimi fizik i grupit të parë të të rinjve që kanë aplikuar për pranim si pjesëtar aktiv në FSK.

Me këtë rast Mehaj ka vizituar kazermën “Adem Jashari” për të parë nga afër procesin e testimit.

“Sot filloi testimi fizik i grupit të parë të të rinjve të cilët kanë aplikuar në konkursin për pranimin e 612 pjesëtarëve aktiv në Forcën e Sigurisë së Kosovës, dhe 388 pjesëtarëve të komponentës rezervë, me ç’rast vizitova Qendrën e Palestrës së Sporteve në kazermën “Adem Jashari”, për të parë nga afër procesin e testimit, si dhe u urova të gjithë kandidatëve suksese”, ka shkruar Mehaj.

Ministri ka shtuar se është vërtetë kënaqësi teksa sheh të rinj e të reja që me kaq vullnet që mezi presin t’i bashkohen Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Ministria e Mbrojtjes si institucion dhe FSK si organizatë, u garanton proces transparent, të monitoruar nga instruktorët e FSK-së, përfaqësuesit e Zyrës Ndërlidhëse të NATO-s, organizatat joqeveritare, si dhe mediet, duke mundësuar kështu raportim në kohë reale, e përzgjedhjen e më të mirëve”, ka deklaruar Mehaj.

Mehaj ka theksuar se Forca e Sigurisë së Kosovës është Forcë që synon shërbimin në NATO, andaj dhe ushtarët tanë janë të nivelit të tillë.

“Më të mirët për t’i shërbyer aleancës më të suksese”, shkruan ministri.

Related Articles