Nga sot e deri më 28 shkurt 2022, do të mbahet testimi për kandidatët për kadetë në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), i cili test do mbahet në Vushtrri, raporton Gazeta “Enigma”.
Nga policia kanë njoftuar se testit me shkrim do t’i nënshtrohen 11 mijë e 292 kandidatë.
Listat e kandidatëve për testim janë publikuar në faqen zyrtare të Policisë së Kosovës, ku shihet se janë të ndara me nga 500 kandidatë për një kohë të caktuar të testimit.
Ndryshe, sipas policisë, 550 kandidatë janë diskualifikuar, pasi që të njëjtit nuk i kanë plotësuar kriteret e rekrutimit për konkursin “zyrtar policor”.
Sipas konkursit publik të shpallur më 28 tetor 2021 deri më 26 nëntor 2021 për zyrtarë policorë, kandidatët që të aplikojnë për këtë pozitë është dashur t’i përmbushin disa kritere.
“Kandidatët që aplikojnë për zyrtarë policorë në Policinë e Kosovës duhet t’i përmbushin këto kritere: a) Të jetë shtetas i Republikës së Kosovës; b) Të jetë i moshës 18-30 vjeçar; c) Të ketë të përfunduar shkollimin e mesëm; d) Të jetë në gjendje të mirë fizike, mentale dhe emocionale; e) Të mos jetë i dënuar për ndonjë vepër penale; f) Të mos posedojë në vend të dukshëm tatuazh (fytyrë, qafë, duar); g) Të ketë integritet personal dhe vlera të larta etike”, thuhej në konkurs.
Tutje thuhet se vetëm kandidatët të cilët e kalojnë me sukses testin me shkrim (minimumi 70%), e fitojnë të drejtën për t’iu nënshtruar fazës së dytë-testit fizik. /BetimipërDrejtësi
Sipas manualit të testimit nga Policia e Kosovës, ky testim me shkrim do të bëhet në mënyrë elektronike përmes sistemit informativ, ashtu që secilit kandidat pas përfundimit të testit, do iu shfaqet rezultati nëse e kanë kaluar apo jo testin me shkrim në bazë të kritereve të vendosura. / Gazeta Enigma.