1. RËNDËSIA E MARRËVESHJES
Duke pasur parasysh rëndësinë e Marrëveshjes së Washingtonit për Republikën e Kosovës, e kemi thirru këtë debat për të diskutuar veprimet e Qeverisë për zbatimin e kësaj marrëveshje. Besoj se distanca kohore nga nënshkrimi i saj ka qenë e mjaftueshme për të gjithë për të reflektuar për rëndësisë e saj.
Marrëveshja ka elemente ekonomike dhe gjeopolitike. Dhe, duke qenë e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, kjo është marrëveshja më e rëndësishme e Kosovës nga shpallja e pavarësisë. Me këtë marrëveshje, dhe përmes një qeverisje parimore dhe konsultative, si brenda, ashtu edhe me miqtë ndërkombëtarë, e kemi thyer izolimin ndërkombëtarë që i kishte ndodhur Kosovës.
Si Kryeministër në atë kohë, e kam informuar Kuvendin më 23 qershor 2020 për orientimin e Qeverisë për të nënshkruar këtë marrëveshje. Po citoj si kam thënë në atë seancë: “… do të udhëtojmë për Washington, ku më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë, nisim dialogun për njohje reciproke, fillimisht me një agjendë të fuqishme të zhvillimit ekonomik.” Kjo duhet t’i mbyll kritikat e pabaza se shkuam në Washington për tjetër gjë, dhe u kthyem me një marrëveshje ekonomike. Kam raportuar në Kuvend pas nënshkrimit të saj. Jam thirrur në disa interpelanca, që ishin abuzim me të drejtën e deputetëve për interpelancë me Kryeministrin, duke qenë se kisha raportuar për këtë marrëveshje.
2. NEVOJA PËR ARRITJEN E MARRËVESHJES
Të pyesim veten për nevojën dhe arsyeshmërinë e kësaj marrëveshje. Republika e Kosovës, e 17 shkurtit, është projekt i përjetshëm, por sigurisht me ambicie të qartë për integrim të plotë euro-atlantik, për zhvillim të demokracisë liberale dhe ekonomisë të tregut. Po ashtu, integrimiet tona mbarëshqiptare, për të cilat disa popullsitë po e marrin bajrakun pa asnjë vizion pragmatik, janë projektuar që në gjenezë të shtetit të pavarur të Kosovës. Ato integrime do të ndodhin në procesin e madh të integrimit euroatlantik të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe gjithë vendeve të rajonit. Ato, në fakt, po ndodhin çdo ditë në shumë fusha: arsim e kulturë, energji, politikë të jashtme dhe fusha të tjera. Këto veprime të integrimit mbarëshqiptarë, duke qenë në përputhje me parimet e integrimit evropian, janë mbështetur nga partnerët.
Për më tepër, shtetësia e Kosovës, në kuptim të së drejtës ndërkombëtare, është konfirmuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, si autoriteti më i lartë ndërkombëtarë, që ndanë drejtësi lidhur me të drejtën e popujve për vetëvendosje. Por, në anën tjetër, subjektiviteti i jonë ndërkombëtarë nënkupton nevojën tonë, si dhe obligimin karshi mbështetësve tanë, për të normalizuar marrëdhëniet tona me fqinjët. Kosova ka dialoguar në Bruksel me vite për çështje të caktuara. Është arritur progres në disa aspekte, por pa u adresuar çështja kryesore e njohjes reciproke, nuk mund të normalizohen marrëdhëniet me fqinjin tonë verior.
Në javët e para të qershorit 2020, unë kam komunikuar intensivisht me partnerët evropianë dhe SHBA, për vendosjen e dialogut në agjendë të qartë, e cila qon në marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke dhe normalizimit të plotë të marrëdhënieve. Kjo qasje është pranuar gjerësisht. Dhe, dhe si rezultat, ka nisur dialogu mbi parimin se nuk bisedohet për territore dhe as për organizimin kushtetues të të shtetit të Kosovës; nuk ka dialog teknik; dhe nuk merremi vesh për asgjë derisa të merremi vesh për gjithçka, duke nisur nga njohja reciproke. Duke qenë se sponsorizohej drejtpërdrejt nga Shtëpia e Bardhë dhe Presidenti Amerikan, vlerësohej se një marrëveshje ekonomike do të shtynte dy vendet më lehtë drejt kësaj marrëveshje finale. Prandaj, mbi këtë qasje është arritur kjo marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë.
Përtej kësaj, këtë marrëveshje duhet parë si një hap i rëndësishëm drejt konsolidimit të plotë të shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Marrëveshje të tilla, siç na tregon historia dhe përvoja jonë në ndërtimin e shtetit, krijojnë realitete të reja gjeopolitike. Dhe, pastaj, në atë realitet të ri gjeopolitik, vendimmarrja për synimet tona për konsolidim të plotë të shtetësisë së Kosovës, bëhet e natyrshme dhe gjenë mbështetje nga bota perëndimore. Ata që nuk e kuptojnë këtë filozofi të veprimit politik, nuk e kuptojnë qëllimin e kësaj marrëveshje dhe e kundërshtojnë atë.
Pyeteni veten se cili ka qenë qëllimi i vendimeve tona politike të fillim viteve 1990, qëllimi i marrëveshjes së Rambujesë, qëllimi i marrëveshjes për çmilitarizim të UÇK-së pas luftës, po dakordimit për të pranuar planin e Ahtisarit dhe marrëveshje të tjera. Të gjitha këto marrëveshje janë bërë nga gra e burra vizionarë, si marrëveshje të ndërmjetme, të dakorduara me partnerët tanë, duke ditur se këto marrëveshje na dërgojnë drejt realizimit të projektit tonë për Kosovën e pavarur.
Marrëveshja e Washingtonit ka shënuar një momentum të ri në marrëdhëniet BE-SHBA karshi Ballkanit Perëndimor, pasi SHBA me këtë marrëveshje merrte rol aktiv politik dhe ekonomik. Prandaj, këtë marrëveshje duhet parë si hap i madh drejt normalizimit të plotë, me njohje reciproke, siç ceket në letrat e vazhdueshme të presidentëve amerikanë drejtuar Kosovës dhe Serbisë, përfshirë edhe letrën e fundit të Presidentit Biden, që ishte mjaft e qartë në këtë çështje.
3. PËRMBAJTJA E MARRËVESHJES
Le ta shohim përmbajtjen e kësaj marrëveshje. Përveç elementeve politike, marrëveshja përfshinë projekte të mëdha infrastrukturore, që e kthejnë Kosovën në nyje rrugore dhe hekurudhore në regjion dhe përtej. Këtë rol si urë lidhëse, Kosova e ka pasur në historinë e lashtë. Njohja nga Izraeli e ka thyer bllokadën disa vjeçare të mungesës së njohjeve dhe e ka ndërruar trajektoren për fuqizimin e subjektivitetit tonë ndërkombëtarë.
4. KRITIKAT E PABAZA NDAJ MARRËVESHJES SË WASHINGTONIT
Janë thënë shumë të pavërteta për Marrëveshjen e Washingtonit. Unë jam kritikuar në këtë Kuvend me gjuhë të papërshtatshme politike nga e opozita e atëhershme. Kur unë deklaroja se i besoj Shtëpisë së Bardhë, se njohja nga Izraeli është e kryer, dhe vetëm do të formalizohej me vendosje të marrëdhënieve diplomatike, popullsitët më quanin me gjithfarë epitetesh jashtë çdo norme etike, duke ma shtrembëruar emrin në mënyrat më fyese të mundshme. Ata popullsitë sot janë në këtë kuvend, në qeveri dhe në presidencë. Sot është e qartë se ato epitete i meritojnë ata, jo unë.
Është e ditur nga shumë studime se, kur një person të shan, të fyen e nënçmon, ai person në fakt tregon për veten e vetë, tregon se kush është dhe çfarë vlera ka. Sot ata persona nuk kërkojnë falje ndaj meje, dhe ndaj Shtëpisë së Bardhë për mungesë respekti dhe besimi. Sot është e qartë se ata persona: ose janë mashtrues, që kanë vepruar kështu për qëllime elektorale, ose janë naivë në marrëdhëniet ndërkombëtare, ose janë të orientuar tjetër kah, dhe nuk duan që Kosova të lidhë perspektivën politike dhe ndërkombëtare përjetësisht me Shtëpinë e Bardhë dhe partnerët perëndimorë. E dinë vetë ata në cilën kategori bien. E di edhe unë.
Cilësimi i një marrëveshje që është arritur në Shtëpinë e Bardhë, si e dëmshme dhe e rrezikshme për Kosovën është gabim strategjik. Si mund të jetë e dëmshme për Kosovën një marrëveshje që sjellë 1 miliard dollarë për projekte infrastrukturore dhe njohje të re për Kosovën? Si mund të jetë e dëmshme një marrëveshje që vjen: nga vendi, i cili para 103 vitesh parandaloi copëtimin e plotë të shqiptarëve; nga vendi, i cili në dhjetor 1992, me porosinë që njihet si “Kërcënimin e Kërshëndellave”, e kërcënoi Millosheviqin se Amerika do të intervenojë ushtarakisht në Kosovë nëse Serbia nisë luftën; nga vendi, i cili e udhëzonte vazhdimisht Presidentin Rugova për kursin paqësor që duhej të ndiqte gjatë viteve të kasaphanës në Ballkan; nga vendi, i cili në maj 1998 e përsëriti prapë “Kërcënimin e Kërshëndellave” se Amerika nuk do të lejojë që në Kosovë të përsëritet Bosnja. Prandaj, të nderuar kolegë, kjo marrëveshje nuk është perfekte. Por, ajo e fuqizon subjektivitetin shtetëror të Kosovës.
5. ZBATIMI I MARRËVESHJES
Le t’i kthehemi zbatimit të marrëveshjes. Në Qeverinë tonë e kemi miratuar planin për zbatimin e saj, i kemi realizuar disa pika dhe të tjerat kanë nisur së zbatuari.
i. Ministria e Infrastrukturës ka punuar me DFC (dhe BE) për: vazhdimin e autostradës për Merdarë, lidhja e autostradës për Durrës me autostradat për Shkup, Gjilan dhe Luginë të Preshevës, përmes segmentit Shtimje-Duhlë, Fizibiliteti për hekurudhën për Durrës dhe projekte të tjera.
ii. Ministria e Brendshme ka funksionalizuar pikën kufitare në Merdarë.
iii. Zyra e Kryeministrit dhe Ministrisë e Jashtme kanë sqaruar parimet mbi bazën e të cilave Kosova i bashkohet nismës për lëvizje të lirë të njerëzve, mallrave dhe kapitalit në Ballkanin Perëndimor.
iv. Ministria e Arsimit ka bërë përgatitjet për takimin e Qendrave NARIC Kosova dhe NARIC Serbia për njohjen reciproke të diplomave.
v. Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit ka punuar me ekspertët amerikanë në studimin e fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit.
vi. Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, KOSTT dhe ZRRE kanë miratuar projektet për diversifikimit të energjisë, në kuadër të MCC-së: gazsjellësi Kosovë – Maqedoni e Veriut, rrjeti i furnizimit me gaz në Kosovë, zgjerimi i ngrohjes qendrore, energjia e ripërtërishme, mbështetja konsumatorët e energjinë që vetë e prodhojnë, investime në rrjetin e shpërndarjes së energjisë në rajonin e Podujevës, Malishevës dhe disa regjioneve.
vii. Më 23 tetor 2020, me Nën-sekretarin për Ekonomi, Energji dhe Ambient të SHBA-ve, kam nënshkruar memorandumin për sistemin 5G. Ndërkaq, Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për sigurinë e pajisjeve të teknologjisë 5G, në përputhje me standardet e vendosura nga SHBA.
viii. Në fushën e komunikacionit ajror, Ministria e Brendshme ka instaluar pajisjet që i përmbushur standardet ndërkombëtare për luftën kundër terrorizmit, sipas Rezolutave të OKB-së 2178 dhe 2396, Ministri i Brendshëm e ka nënshkruar Udhëzimin Administrativ dhe janë testuar pajisjet për sigurinë e të dhënave.
ix. Në fushën e mbrojtjes dhe promovimit të lirive fetare është përgatitur ligji i ri dhe është krijuar grupi ndërministror për analizimin e gjendjes sa i përket pasurisë së komunitetit hebre, e cila ende nuk është trashëguar apo kërkuar.
x. Për personat e pagjetur, janë marrë zotimet për të punuar në gërmime vlerësuese në disa lokacione, për të shqyrtuar databazat e organizatave ndërkombëtare, dhe për qasje në informacione në Serbi.
xi. Janë marrë veprimet për të shpallur si organizata terroriste ato që konsiderohen të tilla nga SHBA.
xii. Më 21 shtator 2020, kam nënshkruar deklaratën e përbashkët me DFC-së për të përshpejtuar nënshkrimin e Marrëveshjes për Nxitje të Investimeve në mes të Kosovës dhe SHBA-ve. Rrjedhimisht, në afat rekord kjo marrëveshje është nënshkruar më 31 dhjetor 2020.
xiii. Janë vendosur marrëdhëniet diplomatike me Izraelin.
Janë kryer edhe punë të tjera, por nuk po hy në detaje.
Është një pikë e kësaj marrëveshje – moratoriumi për aplikim për anëtarësim në organizata ndërkombëtare – që është kritikuar nga ata që bien në njërin nga ato tri grupet e politikanëve që i theksova më lartë. Ata po harrojnë se, mbi logjikën e njëjtë sikur ky moratorium, ish Ministri i Jashtëm Konjufca, kishte tërhequr aplikimin për anëtarësim në Interpol. Ndoshta, për anëtarësim të Kosovës në organizata ndërkombëtare, këta kritikues nuk duan të koordinohen me SHBA, por me dikë tjetër. Sidoqoftë, ky moratorium kalon edhe 6 javë. Pas kësaj periudhe, pres që këta të na anëtarësojnë menjëherë në organizata ndërkombëtare. Pres që, për shkak të diplomacisë së fuqishme të Ministres së Jashtme, të mos kemi asnjë tërheqje të njohjeve. Dhe, unë do të jem i pari që do t’i përgëzojë.
Një pikë tjetër ku janë kapur popullistët është studimi i fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit. Më vjen mirë që ky studim u përmbyll dhe u dorëzua në Qeveri, me qartësi të plotë se vlejnë konventat dhe praktikat ndërkombëtare duke qenë se liqeni shtrihet në territorin e dy shteteve të pavarura. Po ashtu, studimi i konfirmoi hipotezat komike se ky liqen është tokë e mbushur me ujë. Përfundimisht, ky studim iu hoqi maskat mashtrueseve.
Për disa pikat të marrëveshje kemi pasur debate brenda qeverisë. Por, unë i kam tejkaluar, pasi kam qenë i bindur se kjo marrëveshje ËSHTË NË INTERESIN MË TË MIRË TË KOSOVËS. Në përmbyllje të mandatit tim, unë i kam dorëzuar pasardhësit tim dosjen e plotë me informata për zbatimin e kësaj marrëveshje.
6. PËRFUNDIM
Unë e ftoj qeverinë aktuale të jetë serioze në partneritetin me SHBA, duke e zbatuar këtë marrëveshje. Çdo qasje tjetër, ju garantoj se i humb Kosovës investime të mëdha në infrastrukturë, iu pamundëson bizneseve kosovare qasje në financa dhe investime të përbashkëta dhe, më e rëndësishmja, ia pamundëson Kosovës avancimin e subjektivitetit ndërkombëtarë.
Ky debat është ftuar që të diskutojmë për veprimet e Qeverisë në zbatim të kësaj marrëveshje. Unë pres nga Qeveria të na informojë sot se çfarë veprime kanë ndërmarrë në këta tre muaj, dhe cili është plani i tyre në drejtim të zbatimit të plotë të kësaj marrëveshje.
Në fund të këtij debati, do të kërkojmë konsultime me të gjitha grupet parlamentare për të harmonizuar një rezolutë të përbashkët, e cila do të jetë ndihmesë për Qeverinë për të zbatuar këtë marrëveshje./Gazeta Enigma/