Indinjata qytetare ndaj Dan Hutrës, i cili vrau tre gra dhe plagosi tre të tjera pak ditë më parë vuri në lëvizje Kuvendin e Shqipërisë, i cili pasi akuzoi institucionet për dështim, kërkoi informacione se përse një person me precedentë të theksuar penal është liruar nga burgu dhe nuk është mbajtur nën monitorim.
Moria e shkresave i drejtohet KLGJ-së, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Drejtësisë, Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë ku vihet theksi tek masa disiplinore ndaj magjistratëve që kanë shqyrtuar veprat penale të mëparshme të Dan Hutrës.
Dan Hutra ka përfunduar disa herë gjyqeve nga vjedhja e pulave, rrëmbimet, përdhunimet, dhuna në familje, por kulmin e arriti dy herë me vrasjet, të parën në 2007 kur i mori jetën gruas së parë dhe të dytën pak ditë parë me tre ekzekutime dhe tre plagosje.
Por kush janë gjyqtarët që kaluan në dorë dosjet e kriminelit? Emrat e dy gjyqtarëve, Fatmira Hajdari dhe Gerd Hoxha kanë qenë mjaft të lakuar ditët e fundit me vendimet që morën për 40-vjeçarin që bëri kasaphanën. Por si i justifikojnë vendimet e tyre?
Ish-bashkëshorten e parë, Dafina Havalja 22 vjeçe në vitin 2007, Dan Hutra e qëlloi me thikë për vdekje. Pasi kreu krimin në një banesë në Tiranë, Hutra u largua qetësisht duke mbyllur derën dhe marrë në telefon nënën e viktimës, të cilës i tha: “Rrofsh vet se Dafinën e kam mbyt”.
Për këtë ngjarje, në mars të vitit 2009 ai u dënua me 24 vite burg, por duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar, u dënua me 16 vjet heqje lirie. Në atë kohë nuk ishin bërë ndryshimet në Kodin Penal dhe ai u akuzua për vrasje me paramendim, që parashikohej nga neni 78 dhe parashikonte burgim nga 15 deri në 25 vjet burg.
Togat e zeza në vitin 2009 kur u dha vendimi u kryesuan nga gjyqtarja Fatmira Hajdari, e cila sot është jashtë sistemit të drejtësisë, pasi vettingu e shkarkoi. Indinjata ditët e fundit ka qenë e madhe për pranimin e gjykimit të shkurtuar.
“5pyetjet.al” kontaktoi zonjën Hajdari për ta pyetur në lidhje me këtë dosje që ka kaluar vite më parë në duar. Ajo u shpreh se nëse do ta kishte parë, Hutra do ta kishte vrarë edhe atë. “Kur e dëgjova, në TV, mu duk si emër i dëgjuar, ehhh sa kam dënuar unë, ishalla na ruan Zoti, se po të më kishte parë, do të më kishte vrarë dhe mua” tha ajo.
Shënjestra e dytë iu drejtua gjyqtarit tjetër të Tiranës, Gerd Hoxha. Në 8 shkurt 2023, Dan Hutra është dënuar me 1 vit e 6 muaj burg për dhunë në familje nga gjyqtari Gerd Hoxha. Në vendimin e tij, Gerd Hoxha argumenton se Dan Hutra ka pranuar akuzën, kishte shfaqur pendesë, priste një fëmijë, kishte mamanë sëmurë, kishte 8 klasë shkollë (botëkuptim të ulët) dhe se viktima e kishte falur etj.
Ndërkohë që në një vendim tjetër, atë të datës 16 shkurt 2023, Gerd Hoxha vendos për shuarjen e masës së sigurisë dhe lirimin e Dan Hutrës nga qelia, për shkak të periudhës së paraburgimit, që llogaritet me 1.5 në raport me kohë burgimit. Reagimi ishte i madh sa në rrjet dhe deri në parlament. Gjykata e Tiranës mbrojti Hoxhën, i cili tha vetë se “kam zbatuar vetëm ligjin në detyrën time”.