“Fluturojnë” çmimet e tatimit të pronave, vërshojnë kritikat ndaj ekzekutivit

<strong>“Fluturojnë” çmimet e tatimit të pronave, vërshojnë kritikat ndaj ekzekutivit</strong>


Ky fillimvit, në valën e inflacionit me të cilin po përballet vendi solli edhe një ngarkesë të re për kosovarët, shkruan Gazeta “Enigma”.

Ende pa pasur njoftim zyrtar nga ekzekutivi kosovar, qytetarët filluan të raportojnë ngritjen e vlerës së tatimit të pronës. Madje disa prej tyre raportuan se iu është trefishuar çmimi.

“Unë se di ku është problemi po nga 50 euro sa kam pagu, tash më ka ardhur fatura 338 euro”, thotë gjilanasi Edon Islami, për Gazetën “Enigma”.

Në bazë të deklarimeve të deritanishme, nëse ju është rritur tatimi vjetor në pronë kjo është si pasoj se pronës tuaj i është rritur vlera.

Këtë e ka konstatuar Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), pas vlerësimit që e ka bërë vitin e kaluar.

Vlerësimi i pronës nga MFPT-ja, sipas Ligjit, realizohet në çdo tre ose pesë vjet. Vlerësimin e fundit ministria e bëri vitin e kaluar, kurse zbatimi i tij në tatimin në pronë ka filluar nga janari të këtij viti.

Sa është rritur tatimi në pronë?

Për disa, tatimi vjetor në pronë është rritur deri në 100 për qind, e për disa të tjerë, ajo ka mbetur e pandryshuar, sepse vlera e pronës ka mbetur e njëjtë si në të kaluarën.

Zakonisht, çmimet janë më të larta për pronat që gjenden më afër qendrës së qytetit.

Edhe pse vlerësimi është bërë në gjithë territorin e Kosovës, në disa zona nuk ka ndryshuar vlera tatimore.

Në një komunikatë për media të MFPT-së, më 24 janar, thuhet se ministria obligohet të bëjë vlerësimin e pronave, ndërsa shkallën e tatimit e përcaktojnë vetë komunat.

“Departamenti i Tatimit në Pronë, në kuadër të kësaj ministriegjatë vitit 2022 ka kryer vlerësimin e përgjithshëm të tokave dhe objekteve rezidenciale, si dhe ka përpiluar raporte të vlerësimit për prona rezidenciale më datë 31.10.2022, për të cilat janë njoftuar të gjitha komunat”, thuhet në komunikatë.

Në bazë të Ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme, i cili është ndryshuar, plotësuar dhe miratuar në vitin 2018, thuhet se ministria e Financave menaxhon të dhënat e tatimit në pronë në regjistrat e tatimit në pronë, operon dhe mirëmban regjistrat e tatimit në pronë, publikon informacionet lidhur me tatimin në pronë, kryen vlerësimin e pronës dhe lëshon certifikatat e vlerës së vlerësuar.

Kurse Kuvendi komunal i çdo komune i cakton tarifat tatimore mbi pronën në bazë vjetore, në shkallën prej 0.05 për qind deri në 1 për qind të vlerës se pronës në treg.

Të hyrat nga tatimi në pronë nevojiten për zhvillimin e infrastrukturës se komunës. Nga grumbullimi i këtyre tatimeve investohet në projekte të ndryshme që kanë për qëllim përmirësimin e jetës se qytetarëve të asaj komune.

Kundërshtime të fuqishme nga opozita, kritikohet ekzekutivi

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti thotë se është e papranueshme që qytetarët të pranojnë faturat e reja të tatimit në pronë dyfish më shumë se që i kanë pasur.

Ai thekson se do të kërkojë nga Komisioni për Buxhet dhe Financa, të nxjerrë rekomandim për Qeverinë Kurti që vlerësimi i pronave në fatura të shtyhet për vitin 2024.

Sipas Hotit, është e rëndësishme që qytetarëve t’iu bëhet e ditur mënyra se si llogaritet tatimi në pronë.

“Besoj se është informatë e paarsyeshme, nuk ka asnjë arsyeshmëri, nuk ka asnjë bazë që qytetarët pa prit e kujtu të pranojnë faturat e reja dyfish më shumë siç i kanë pasur të vjetrat. Është mirë të sqarohet mënyra si llogaritet tatimi në pronë, janë normat tatimore të tatimit në pronë dhe është vlerësimi i pronës. Normat përcaktohen me ligj për tatimin në pronë, i cili i përcakton kufirin e poshtëm dhe kufirin e lartë të tatimit në pronë dhe mandej komunat kanë diskrecion që të caktojnë normën e tatimit në pronë brenda kufijve që i cakton ligji”, theksoi ai.
Siç thotë ai “Ministria e Financave bënë vlerësimin e vlerës së tregut të pronave dhe në bazë të saj llogaritet tatimi në pronë. Normalisht që në bazë të ligjit, kohë pas kohe bëhet vlerësimi i pronave, vlerës së tregut të pronave dhe kur ajo shumëzohet me normën tatimore, i jep ngarkesën tatimore. Ajo që është e papranueshme është që qytetarët tanë tash në janar, pas datës 23 janar kur fillojnë të gjenerohen këto futura, kuptojnë që do të kenë rritje të ngarkesës tatimore për pronat e tyre”.

Sipas tij fillimisht, është dashtë të zhvillohet një fushatë shumë më e gjatë e informimit të qytetarëve për vlerësimin e ri të pronave që po bëhet, i cili pastaj do të reflektohet në faturën e tatimit në pronë.

Ai thotë se ky vendim i vlerësimit të tatimit të pronave në fatura duhet të shtyhet së paku deri në janar të vitit 2024. / Gazeta Enigma.

Related Articles