Franca kërkon nga Kosova që “sa më shpejtë” ta lirojë Igor Popoviqin

Franca kërkon nga Kosova që “sa më shpejtë” ta lirojë Igor Popoviqin

Ministria e Jashtme e Francës ka thënë se shpreson që Kosova ta lirojë “sa më shpejt që të jetë e mundur” ndihmësdrejtorin e Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Igor Popoviq.

Përmes një deklarate për media, MPJ-ja franceze përsëriti mbështetjen e saj për ndërmjetësimin evropian në favor të normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

“Kjo do të thotë që negociatorët dhe ekipet e tyre duhet të jenë në gjendje të lëvizin lirshëm dhe të sigurt në të dy vendet. Franca shpreson që zëvendësnegociatori serb, z. Igor Popoviq, të lirohet sa më shpejt të jetë e mundur”, tha MPJ-ja në reagimin e saj publik.

Franca ndërkaq u ka kërkuar të dyja palëve, Kosovës dhe Serbisë, të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm që mund të dëmtojë rifillimin e dialogut, teksa tha se mirëpret përpjekjet e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian në këtë drejtim.

Kujtojmë se Igor Popoviq u ndalua nga Policia e Kosovës më 18 korrik, derisa i njëjti po tentonte të kalonte përmes Bërnjakut, pasi paraprakisht atë ditë kishte marrë pjesë në një aktivitet në Hoçë të Madhe të Rahovecit, ku UÇK-në e kishte cilësuar “terroriste”.

Të dielën, zyrtarit serb, Igor Popoviq iu caktua masa e paraburgimit prej një muaj, nga Gjykata Themelore në Prishtinë, pas seancës fillestare.

Related Articles