Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti priti sot në takim ministrin e Bashkëpunimit Regjional të Izraelit, Esawi Frej, që është vizita e parë e një ministri izraelit në Kosovë.
Në komunikatën e Qeverisë thuhet se në takim u rikonfirmua gatishmëria e të dy shteteve për të zgjeruar e thelluar bashkëpunimin, si dhe u bisedua për mundësitë konkrete.
Ministri Frej tha se për shtetin e Izraelit është shumë e rëndësishme që të mbajë e forcojë lidhjet me Kosovën, teksa i përcolli kryeministrit Kurti përshëndetjet e kryeministrit izraelit, Naftali Bennett.
Frej shprehu vullnetin për thellim të bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare, teksa shprehu interesimin e investitorëve izraelitë për investime në Kosovë.
“Ne jemi të hapur për mundësi të reja dhe së bashku do të arrijmë suksese”, tha ministri Frej.
Ndërsa, kryeministri Kurti theksoi potencialin në fushën e teknologjisë së informacionit dhe të komunikimit, duke veçuar digjitalizimin si një nga objektivat në programin e Qeverisë.
Duke folur për zhvillim e ekonomisë dhe reformat e nisura, kryeministri theksoi se Qeveria synon ndërthurjen e rritjes ekonomike me drejtësi sociale.
Ai tha se rritja ekonomike prej 10.53%, do të shpërndahet te qytetarët, nëpërmjet masave si këto të sotmet, duke iu referuar 100 eurove shtesë.