FSK-ja futet gabimisht në veri – “Alarmohen” serbët

FSK-ja futet gabimisht në veri – “Alarmohen” serbët

Disa automjete të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë hyrë gabimisht në territorin e Mitrovicës së Veriut gjatë ditës së enjtes, ku kanë qëndruar për disa minuta, shkruan Gazeta Enigma.

Kjo u bë e ditur nga zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani i cili konfirmoi se automjetet ishin të FSK-së.

Ai shtoi se ata kaluan rreth pesë minuta në një stacion karburanti, ku policia i ka parë dhe i ka pyetur për situatën. Sipas Elshanit, pjesëtarët e FSK-së u përgjigjën se kishin gabuar vendndodhjen dhe menduan se ishin në Mitrovicën e Jugut.

Elshani gjithashtu theksoi se pjesëtarët e FSK-së nuk kishin armë.

Sipas raportimeve të mediave serbe dhe videove që kanë qarkulluar në Telegram, automjetet e FSK-së hynë në Mitrovicën e Veriut në orët e mëngjesit.

Dëshmitarë okularë raportuan për “KoSSev” se automjetet qëndruan aty për rreth dhjetë minuta. Ishin pothuajse dhjetë automjete, përfshirë disa Hummer dhe tre deri në katër kamionë. Fillimisht, qytetarët menduan se ishte KFOR-i.

Dislokimi i FSK-së në veri të vendit është i mundur vetëm me pëlqimin paraprak të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, bazuar në zotimin e vitit 2013 nga Qeveria e Kosovës ndaj NATO-s. Ky angazhim, i dhënë përmes një letre nga ish-kryeministri Hashim Thaçi drejtuar sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, mbetet në fuqi edhe sot, pavarësisht ndryshimeve në mandatin e FSK-së.

Related Articles