Gabriel Escobar, Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili ndodhet në Kosovë bashkë me Emisarin Miroslav Lajçak, në një bisedë me gazetarë kosovarë, ka deklaruar se raportet që administrata amerikane i ka aktualisht me Kryeministrin Kurti nuk i prekin raportet mes dy vendeve, raporton Gazeta Enigma.
“Shpresoj se njerëzit e kuptojnë se çfarëdo vështirësi që i kemi me kryeministrin Kurti nuk e afektojnë këtë sentiment” ka thënë ai.
Escobar, tutje është shprehur se SHBA ka qenë përkrahësi më i madh i Kosovës dhe i dhemb kur sheh se njerëzit mendojnë se disi po e çojnë raportin e tyre me Kosovën për përfitime të Serbisë.
“Por i kemi disa sfida në raportet bilaterale derisa po merremi me Kryeministrin Kurti. Dua të jem shumë i sinqertë SHBA ka qenë përkrahësi juaj më i madh dhe më dhemb që shoh se njerëzit mendoj se disi po e çojmë raportin tonë me Kosovën për përfitime të Serbisë. Dua t’ju rikujtoj Serbia ka qenë kundër pavarësisë tuaj më 2008 dhe ne shkuam përpara, ata ishin kundër fushatës për njohje dhe ne ecëm tutje, ata ishin kundër Këshillit të Evropës dhe ne ecëm tutje, ata ishin kundër zgjedhjeve dhe rezultateve dhe ne thamë se ato ishin të drejta dhe të lira” ka thënë Escobar. /Gazeta Enigma