Gani Sejdiu: Gjilani i ka gjasat ideale krahasim me Ballkanin, Dritën dhe Llapin që të kalojë në rundin tjetër

Gani Sejdiu: Gjilani i ka gjasat ideale krahasim me Ballkanin, Dritën dhe Llapin që të kalojë në rundin tjetër

SC Gjilani të enjten do ta ketë një mision të vështirë në Letoni përballë skuadrës së FK Liepajës në kuadër të ndeshjes kthyese të rundi të parë në Ligën e Konferencës.

Të besuarit e Zekirija Ramadanit shënuan fitore me rezultat 1-0 në stadiumin “Fadil Vokrri” nën një atmosferë elektrizuese nga mbështetja e tifozëve të kësaj skuadre “Skifterat”.

Skuadrës së Gjilanit i mjafton një barazim me çfarëdo rezultati apo një fitore për t’u kualifikuar në rundin tjetër.

Trajneri dhe analisti i futbollit, Gani Sejdiu në një bisedë për Gazetën Enigma ka treguar se cilat janë gjasat e SC Gjilanit ndaj FK Liepajës për këtë ndeshje.

Gani Sejdiu thotë se FK Liepaja në ndeshjen e parë nuk ishte në nivelin e SC Gjilanit, sipas tij kualiteti ishte në anën e skuadrës së Zekirija Ramadanit.

“SC Gjilani e ka një rezultat shumë të mirë nuk diskutohet, sepse fitorja është fitore duke e llogaritur edhe nivelin e kundërshtarit, realisht është një kundërshtar i cili nuk ishte në nivelin e Gjilanit, kualiteti është në anën e skuadrës së Zekirija Ramadanit”, vlerëson trajneri i njohur kosovar, Gani Sejdiu.

Trajneri Sejdiu tërheq paralelën me tri skuadrat e tjera kosovare që marin pjesë në garat europiane duke thënë se SC Gjilani i ka gjasat më të mëdhaja që të kualifikohet në rundin tjetër në bazë të rezultateve nga ndeshja e parë.

“Përkundër saj Gjilani e ka edhe rezultatin për dallim nga ekipet tona të cilat po ashtu ishin më superior në kualitet, por nuk i kanë rezultatet ideale, Gjilani përkundrazi ia arriti rezultatit. Unë mendoj që Gjilani i ka gjasat ideale është ekipa e vetme kosovare që i ka gjasat më të mëdhja me u kualifiku në rundin tjetër”, thotë Gani Sejdiu për Gazetën Enigma.

Ish-trajneri i disa skuadrave kosovare thotë se SC Gjilani në këtë ndeshje mund ta ndëshkoj skuadrën e FK Liepajës në kundërsulme, pasi skuadra vendase do ta kërkoj me çdo kusht fitoren duke u vërsulur në sulm.

“Po them e ka rezultatin besoj që ekipa në Letoni do të luajë me shumë siguri, nuk do të lëshohet në aventura, plus Gjilani është skuadër më kualitative. Liepaja në këtë ndeshje e ka vetëm një alternativë, fitoren, prandaj ekziston mundësia që me i denu me kundërsulme. Gjilani i ka gjasat ideale krahasim me Ballkanin, Dritën dhe Llapin që të kalojë në rundin tjetër”, potencon trajneri mitrovicas.  

Krejt në fund Gani Sejdiu thotë se SC Gjilani në këtë ndeshje nuk duhet të mbyllet totalisht, pasi lojtarëve i humb besimi. Ai thotë se Gjilani në këtë ndeshje duhet të mendoj edhe për fazën e sulmit.  

“Gjilani nuk duhet të luajë me një mbyllje totale, sepse nuk mundet me rezistu me një mbyllje totale, me një kujdes maksimal, pak ma i shtuar kujdesi, normal nuk diskutohet që edhe në fazën e sulmit duhet me i dhanë prioritet, pasi duhet me pas qëllim me dhanë gol. Edhe lojtarëve nëse mbrohen gjatë gjithë lojës i humb vetëbesimi, por duhet të kenë kujdes me mbrojt rezultatin, por njëkohësisht me pas qëllim edhe me shënu. Kjo mundet me qenë një strategji e qëlluar”, thotë Sejdiu për Gazetën Enigma.

Gjilani në këtë ndeshje kishte përkrahje të madh nga tifozëria e saj “Skifterat” të cilët dhanë spektakël në shkallët e stadiumit “Fadil Vokrri”.

Kuqebardhët do të nisën për Letoni të mërkurën në mëngjes për t’u përballur të enjten nga ora 16:00 me skuadrën e Liepajës.

Në këtë ndeshje, SC Gjilanit i rikthehen nga suspendimi Torrasa dhe sulmuesi Melvan Zeka të cilët munguan në ndeshjen e parë.

Drejtësinë në këtë ndeshje do ta ndajë gjyqtari Tore Hansen nga Norvegjia i asistuar nga Oystein Ytterland dhe Runar Langseth.

/GAZETA ENIGMA/

Related Articles