Garë e ashpër në Ligën e Parë

Garë e ashpër në Ligën e Parë

Në Grupin A, lidere është Suhareka, kurse në Grupin B, skuadra e Ferizajt. Por të dyja ekipet e Ligës së Parë nuk janë shkëputur nga skuadrat e vendeve të dyta dhe të treta.

Në grupin ku lidere është Suhareka me 38 pikë, në garë për promovim në Superligë janë edhe Dinamo e Ferizajt me një pikë më pak dhe Trepça ’89 me 36 pikë. Ndërkohë në Grupin ku Ferizaj është në vendin e parë me 45 pikë, përcjellës i parë është Prishtina e Re me 44 pikë, kurse në vendi ne tretë me 43 pikë është Vjosa.

Deri në fund të edicionit kanë mbetur edhe shtatë xhiro për t’u zhvilluar.

Vendet e para në Grupin A dhe Grupin B sigurojnë inkuadrimin direkt në Superligë, kurse skuadrat e vendeve të dyta përballen për të siguruar ndeshjen e barazhit me skuadrën e vendit të tetë të Superligës.

Trajneri i njohur i futbollit, Ismet Munishi, uron që rivaliteti në të dyja grupet të jetë i madh deri në fund.

“Liga e Parë, në të dyja grupet, ka marrë publicitet dhe rivaliteti është prezent. Ta shohim deri në fund. Uroj të përfundoj si është më së miri”, tha Munishi të hënën për kohën.

Por ai ka dilema nëse gara do të jetë fer deri në fund.

“Po vërejmë gabime të gjyqtarëve dhe gjëra të pahijshme që po e dëmtojnë imazhin e Ligës së Parë dhe futbollit në përgjithësi. Kjo është dilema dhe brenga që kam, pasi nëse do të ketë garë fer deri në fund, atëherë le të ngjitet në Superligë ekipi që është më i mirë në fushë”, është shprehur Munishi.

Munishi u referohet edhe kritikave, reagimeve dhe tensioneve që ka pasur në javët e fundit në ndeshjet e Ligës së Parë. Ferizaj ka paraqitur tri raste ku pretendon se është dëmtuar nga gjyqtarët. E për gabime të gjyqtarëve ka reaguar edhe ekipi tjetër ferizajas, Dinamo. Dinamo pretendoi se gjyqtari Ardit Halilaj i dëmtoi në derbin ndaj Suharekës. Pas ndeshjes u raportua se gjyqtari Halilaj u sulmua fizikisht.

Më herët reagime ka pasur edhe nga Prishtina e Re dhe skuadra tjetra. Por, Munishi  iniston se Liga e Parë është më interesante se Superliga, me gjithë vërejtjet e shumta.

“Kurrë më interesante nuk ka qenë Liga e Parë, kurse Superliga kurrë më e bajtashme nuk ka qenë”, ka thënë Munishi. “Nëse një ndeshje në Superligë mbyllet me 200 shikues, kurse në Ligën e Parë ke më shumë shikueshmëri, kjo flet vetë se gara më interesante është bërë në Ligën e Parë”.

Munishi e sheh ish-skuadrën e tij, Ferizajn, favorit për t’u ngjitur në Superligë nga Grupi B. Por nuk përjashton mundësinë që Prishtina e Re dhe Vjosa të rivalizojnë deri në fund Ferizajn.

“Në bazë të traditës dhe organizimit, e shoh Ferizajn favorit, por edhe këto dyja kanë treguar rivalitet të madh. Ferizajn e pret ndeshje e vështirë ndaj rivales Vjosës. Në grupin tjetër Trepça ’89 ka përvojën më të madhe, por po shohim se Suhareka dhe Dinamo kanë treguar formë të lartë këtë edicion. Testi i vërtetë do të jetë në ndeshjen në mes të 89-shit dhe Suharekës”, ka thënë Munishi.

Trajneri i Suharekës, Arsim Thaqi, përmend 89-shin si një prej kundërshtarëve më të fortë në këtë fazë të garës.

“Normal që duhet të presim të rrjedhin gjërat. Kemi dy ndeshje afër njëra-tjetrës, ndaj Phoenixit dhe Trepçës ’89. Të mërkurën kemi edhe ndeshjen kundër Ballkanit. Shpresojmë t’i mbyllim me sukses dy ndeshjet në kampionat, pastaj do të kishim një situatë më të mirë. Fokusin e kemi në kampionat, por sigurisht se edhe në garën për Kupë ndaj Ballkanit do të shohim forcat tona”, ka thënë Thaqi.

Derisa Suhareka kërkon inkuadrimin për herë të parë në Superligë, Ferizaj shpreson të kthehet.

“Presim të rikthehemi në Superligë. Besojmë në forcën e skuadrës që kemi dhe kemi bindjen se do t’ia arrijmë qëllimit që kemi para vetes. Synimi i vetëm i yni është kthimi në Superligë. Mendoj që e meritojmë duke parë organizimin dhe kushtet që i ofron klubi i Ferizajt, nga i pari deri te i fundit”, ka thënë sulmuesi i Ferizajt, Betim Haxhimusa.

Related Articles