Kandidaturat për kryetarë të komunës së Prishtinës nga partitë politike, njohësi i çështjeve politike dhe njëri nga ish-themeluesi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Milazim Krasniqi, po i sheh si një garë e fortë për kryeqytetin.
Krasniqi në një deklarate për Ekonomia Online tha se zgjedhjet në Prishtinë gjithmonë kanë qenë të rëndësishme, duke përmendur edhe dy nga kandidaturat më të suksesshme dhe impresive për të Uran Ismailin e PDK-së e Përparim Ramën e LDK-së.
Krasniqi, babai i kryetarit aktual të PKD-së, po i konsideron kandidatë me kuadro dinamik dhe mjaftë intelegjentë, duke cekur këtu edhe nëjrin nga kandidatët e pozitës, Arben Vitia që e cilëson si një dështim në menaxhimin e tij si ministër pa komentuar kandidaturën si kryetar i Prishtinës.
“Prishtina është qyteti im, sepse gjithë fëmijërinë time e kam kaluar këtu dhe u plaka këtu, prandaj zgjedhjet në Prishtinë për mua janë të rëndësishme e aq më tepër që është kryeqytet i vendit dhe si i tillë reflekton në gjithë dinamikën e zhvillimit politik ekonomik e kulturor. Disa nga kandidaturat janë vërtetë impresive dhe padyshim që në këtë listë do ta theksoja në mënyrë të veçantë kandidaturën e Uran Ismailit, që është një kuadër dinamik e intelegjent e poashtu edhe Përparim Rama, që është një kuadër i suksesshëm”.
“Dua të rezervohem për kandidatët e tjerë e veçmas për kandidatin Arben Vitia që është një dështim në fushën e menaxhimit të shëndetësisë, por nuk dua ta paragjykoj si të tillë, por kjo që kemi parë nga ai është një skandal”, tha Krasniqi.
Krasniqi tutje tha se këto kandidatura do ofrojnë një mundësi të mirë për qytetarët që të votojnë një kryetar që do ta shndërrojë Prishtinën në një metropol dhe jo në një kaos urban siç është parë deri tani.
“Besoj që këto kandidatura ofrojnë një mundësi të mirë që Prishtina të fillojë realisht të ndryshojë për mirë, sepse ka pasur një zhvillim kaotik, me një masakër urbane dhe margjinalizim të nevojave kulturore, kështu që nëse vjen një kryetar me këto vlera fillon ndryshimi. Kryeqytetet janë simbol i shtetit, andaj Prishtina ka nevojë që gradualisht ta merr primatin e tij, dhe të fitojë më i miri”, theksoi tutje Krasniqi.
Ai tha se në këto zgjedhje do jetë një garë interesante me debate të forta, me kandidatë që kanë njohuri dhe që do shpalosin idetë më të mira për ndërtimin dhe ndryshimin e Prishtinës.
“Do ketë debate shumë të forta, këta tre kandidatë që konsideroj që kanë njohuri dhe kompetencë dhe do shpalosin idetë e tyre, në paralagjet e Prishtinës, legalizimet dhe shumë çështje të tjera, kështu që do jetë mirë që të vinë me një plan konkret, dhe jo të flitet sa ka punuar qeveria Kurti-2 dhe pallavra”.
Qëndrim Arifi nga INPO, thotë se asnjëri nga kandidatët e partive politike për Prishtinën nuk kanë prezantuar programin e tyre qeverisës.
“Jemi duke hyrë në fushatën zgjedhore, e kritikat fillestare kanë të bëjë me publikimin e emrave të kandidatëve ku ka pasur mjaftë shumë vonesa dhe kjo do t’i kushtojë shumë partive politike sidomos me programin qeverisës, dhe kritika e dytë është që ne nuk po shohim një program qeverisës, pa ndonjë aktivitetet apo diçka të tillë”, tha Arifi.
Tutje Arifi tha se mirëpresin çdo kandidat të ri, e në këtë rast siç është rasti i Përparim Ramës nga LDK-ja, duke shtuara se do ketë disa mangësi që nuk dihet a do t’i kushtojë në zgjedhjet lokale apo jo.
“Ne mirëpresim çdo kandidat të ri, e në këtë rast e mirëpresim çdo figurë dhe energji të re që edhe në të ardhmen partitë politike të sjellin figura të re”.
“Në rastin konkret nuk kem kemi parë asgjë nga kandidati apo figura më e re e LDK-së, por që fillimisht një kryetar komunën duhet të jetë i lidhur me asamblistët dhe këtë shumë vështirë mund ta arrijë, dhe pastaj edhe bashkëpunimi me qytetarët që nuk ka qenë kurrë afër partisë dhe strukturave partiake”.