Gareth Bale po planifikon të tërhiqet nga futbolli me klube në verën e ardhshme, por të vazhdojë të luajë për Uellsin në Kupën e Botës në vitin 2022.
Kapiteni dhe golashënuesi më i mirë në histori të uellsianëve është në pushime pasi u eliminuan nga Euro 2020 në 1/8 e finales. Ai do të kthehet në Real Madrid më vonë këtë muaj, ku i mbetet një vit nga kontrata e tij me vlerë prej 600,000 euro në javë.
Bale, i cili mbush 32 vjeç javën e ardhshme, synon të përfundojë 12 muajt e kontratës së tij me Los Blancos dhe më pas të pensionohet nga futbolli i luajtur me klube.
Ylli, i cili kaloi sezonin e kaluar në huazim te Tottenhami, u ka thënë miqve dhe përfaqësuesve të tij se aktualisht nuk po planifikon të kalojë te një klub tjetër, kur në verën e ardhshme të jetë një lojtar i lirë.
Por, me Kupën e Botës që mbahet në vitin 2022 në Katar, Bale është i hapur për të vazhduar të luajë futboll ndërkombëtar me Uellsin.
Uellsi ka tre pikë nga dy ndeshjet e tyre të para në Grupin E në fazën kualifikuese të Kupës së Botës pasi u mposht nga Belgjikë dhe ka një fitore në shtëpi ndaj Republikës Çeke.
Ata luajnë me Bjellorusinë dhe Estoninë në shtator pasi synojnë të kualifikohen në Kupën e Botës për herë të parë që nga viti 1958.
Bale, një katër herë fitues i Ligës së Kampionëve, tha kohët e fundit pas eliminimit të Uellsit nga Euro 2020 nga Danimarka: “Unë do të luaj për Uellsin deri në ditën që do të ndaloj së luajturi futboll”.
Kontrata e Bale me Madrid përfundon korrikun e ardhshëm dhe Kupa e Botës 2022 zhvillohet nga 21 nëntori deri më 18 dhjetor.