Në gazetën prestigjioze “The Sunday Times” sot është publikuar një artikull i titulluar “Ata e çliruan Kosovën, ata e duan Perëndimin… tash po akuzohen për krime lufte”, tekst ky kushtuar ish-krerëve të UÇK-së ndaj të cilëve ka nisur gjykimi në Hagë.
Në nëntitullin e këtij artikulli thuhet “Në shtetin e vogël ku Blair-i dhe Clintoni idolizohen, storia e suksesshme e Nato-s po kërcënohet të bëhet shumë e hidhët!”.
Në këtë artikull tregohet për situatën që ka shkaktuar presioni i partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës për të themeluar Gjykatën Speciale.
Një gjë e tillë është bërë për të “kënaqur Serbinë” thotë Aidan Hehir, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Westminsterit në Londër.
Gazetar ka cituar edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke folur mirë për intervenimin e NATO-s për të ndalur gjenocidin serb.
Gazetari Campbell ka treguar se kryeministri i Kosovës Albin Kurti i ka thënë atij në një intervistë se është i brengosur që gjykimet në Hagë “mund t’i ndihmojnë Serbisë “që të rishkruajë historinë” duke e vënë fokusim te krimet e kosovarëve.”
“Forcat serbe ishin përgjegjëse për shumicën dërmuese të dhunës në Kosovë dhe megjithëse disa janë gjykuar në Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavi, shumica e atyre që ishin përgjegjës për spastrim etnik dhe krime tjera të luftës në Kosovë nuk janë ndëshkuar kurrë.”
Se ka një përpjekje për rishkrimin e historisë së luftës në Kosovë është folur edhe nga ekspertë të tjerë ndërkombëtarë dhe nga akterë të rëndësishëm në rajonin tonë. Madje, edhe nga Serbia kanë deklaruar se në gjyq nuk janë individë por është UÇK-ja.