Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, në konferencën e përbashkët për media me homologun shqiptar, Igli Hasani, ka folur për Draftin e Asociacionit.
Gërvalla ka thënë se Kurti në Samitin e vitit të kaluar kishte ofruar të nënshkruante tri dokumentet njëherit duke qenë se partnerët evropianë kishin shprehur urgjencë në implementimin e marrëveshjeve Kosovë-Serbi. Kryediplomatja Gërvalla thotë se Kurti në përgjigje të kësaj urgjence të ndërkombëtarëve, ka qenë në gjendje që të nënshkruaj tri marrëveshjet, përfshirë edhe atë për Draftin, duke anashkaluar shqetësimet dhe komentet e bëra.
Ajo ka thënë se BE s’ka qenë në gjendje që atë natë të sjell Serbinë dhe nënshkrimet e Serbisë në tavolinë, prandaj ai shans është humbur dhe se tashmë komentet e Kosovës për Draftin mbeten valide.
“Sa i përket Draftit që na është dorëzuar në shtator dhe për të cilin Kryeministri në tetor ka thënë se nëse kryeshtetasit evropian që kanë qenë në Samitin evropian atë ditë, pas shprehjes së një urgjence nga ana e tyre, meqenëse është kaq urgjente të trajtohet çështja e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, atëherë kryeministri ka ofruar aty për aty, duke lënë mënjanë shqetësimet dhe komentet që kemi paraqitur me shkrim ndaj Draftit, të ulen palët dhe të nënshkruajnë të 3 dokumentet. Marrëveshjen e 27 shkurtit, aneksin e marsit dhe Draftin. Në këto rrethana Kosova do të ishte e gatshme duke iu përgjigjur urgjencës së partnerëve për të implementuar dhe për të pranuar të tri dokumentet e nënshkruara nga dy palët”, tha ajo.
Tutje ajo shtoi se “BE atë natë s’ka qenë në gjendje të sjell Serbinë dhe nënshkrimet e Serbisë në tavolinë. Prandaj komentet tona për Draft-in mbeten aktuale sepse ai shans që e patëm atë natë nuk arriti të realizohet. Unë e shoh që ka pasur një shans unik, mirëpo pritjet që Serbia do të jetë konstruktive në dialog nuk u vërtetuan atë natë. BE-ja duhet të mendoj mirë se cila është rrugë në të ardhmen, si do veprojë jo vetëm me marrëveshjet Kosovë-Serbi, por cila është perspektiva e vitit 2024, do të vazhdojë BE-ja me ledhatimin e Serbisë dhe injorimin e rrezikut, apo do të ketë një ndryshim në qasje”.