Gjatë fjalës solemne para Këshillit të Sigurimit, ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz deklaroi se Serbia është kërcenimi më i madh për normalizimin dhe paqen në rajon.
Gërvalla ka kujtuar krimet serbe në Kosovë, dhe rolin e Vuçiqit në atë kohë.
“Është me rëndësi të përmendet se në atë kohë, presidenti i tanishëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në kohën e gjenocidit ka qenë ministër i Millosheviqit për propaganda”.
“Ashtu si në Bosnje edhe në Kosovë nuk ka qenë luftë por ka qenë fushatë shfarosëse, ashtu si po bënë edhe sot Putini në Ukrainë. Ne nuk do t’i harrojmë ato krime, e as bota nuk bën t’i harrojë”, deklaroi Gërvalla.
Ministrja ndër të tjera tha se Evropa dhe bota nuk janë njëllojë si para sulmit të Rusisë në Ukrainë.
“Rusia po e rrezikon edhe vet Këshillin e Sigurimit. Debati i sotëm duhet të marrë parasysh edhe këto ndryshimet e mëdha”.
Gërvalla thotë se misionet ndërkombëtare respektohen shumë në Kosovë, por sipas saj dallon roli i UNMIK-ut.
“UNMIK-u nuk ka më rol në jetën e qytetarëve tonë. Kosova si shtet sovran i përmbush detyrat ndaj qytetarëve tanë. Jemi të kënaqur që kemi zgjeruar raportet e mira ndërshtetërore në gjithë globin. Shumica e shteteve të BE-së e OKB-së njohin vendin tanë”.
Zëvendëskryeministrja e Kosovës thotë se Kosova ka avancuar në luftimin e krimit dhe korrupsionit dhe ka forcuar më shumë demokracinë.