Gërvalla: Ne nuk jemi shtet shqiptar, jemi shtet multikulturor

Gërvalla: Ne nuk jemi shtet shqiptar, jemi shtet multikulturor

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla – Schwarz, ka folur për zhvillimet e fundit në vend në një intervistë për gazetën katalanase “El Periodico”.

Në këtë intervistë, Gërvalla ka diskutuar për njohjen eventuale të Kosovës nga Spanja, dialogun me Serbinë dhe pozitën e serbëve në Kosovë.

Gërvalla ka deklaruar se nuk sheh ndonjë arsye pse Spanja të mos e njohë Kosovën, ndërsa ka mohuar ngjashmëritë e situatës së Kosovës dhe rajoneve autonome të Spanjës, siç është Katalonia.

Duke folur për njohjen nga pesë vendet mos-njohëse të Bashkimit Evropian, Gërvalla ka thënë se shpreson që këto vende të ndryshojnë qëndrim së shpejti ndaj pavarësisë së Kosovës.

“Se kur do të ndodh kjo, varet nga përpjekja e bërë nga të dyja palët. Por nuk e shoh asnjë arsye pse kjo të mos ndodh”, ka deklaruar Gërvalla.

Tutje, Gërvalla është pyetur edhe për raportin e Departamentit të Shtetit Amerikan, i cili ka vlerësuar se serbët mbeten të diskriminuar në Kosovë, Gërvalla ka thënë se problemi qëndron te Serbia.

Gjithashtu, ajo ka deklaruar se Kosova është shtet multikulturor dhe se nuk ka entitete të veçanta.

“Problemi është leva që Serbia po përdor për të ndarë serbët e Kosovës nga qytetarët e tjerë. Ne jemi shtet multikulturor, jo shtet shqiptar. Dhe të jesh multikulturor do të thotë se nuk ka entitete të veçanta (i referohet strukturave që paguhen nga Beogradi dhe ofrojnë shërbime për popullatën serbe të Kosovës)”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se Qeveria e Kosovës është duke punuar për integrimin e serbëve. 

Related Articles