Ministrja në detyrë për Punët e Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka riafirmuar përkushtimin e palëkundur të Kosovës ndaj rrugës euroatlantike dhe vlerave demokratike gjatë takimit të Ministrave të Jashtëm në Tiranë, në kuadër të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).
Në fjalën e saj, Gërvalla vuri në pah progresin e Kosovës gjatë katër viteve të fundit, si rritjen e qëndrueshme ekonomike, dyfishimin e eksporteve dhe rritjen e investimeve të huaja.
Ajo theksoi se Kosova ka dorëzuar e para Agjendën e Reformave 2024–2027 dhe ka ndërmarrë hapa konkretë për të përfituar nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Ministrja theksoi përputhjen e plotë të Kosovës me politikën e jashtme të BE-së dhe mbështetjen për Ukrainën.
Ajo ngriti shqetësimin për veprimet destabilizuese në rajon, duke dënuar aktin e agresionit të 24 shtatorit në Banjskë dhe sulmin mbi kanalin Ibër-Lepenc, duke akuzuar Serbinë si përgjegjëse.
Gërvalla dënoi edhe arrestimin e ish-policit Arbnor Spahiu nga autoritetet serbe, duke e cilësuar këtë si dëshmi të rolit të Serbisë në sulmin në veri të Kosovës.
Në fund, ajo përmendi hapat e ndërmarrë nga Kosova për bashkëpunim rajonal, si zhbllokimi i CEFTA-s dhe heqja e vizave për qytetarët e Bosnje dhe Hercegovinës.
“Ndërtimi i një rajoni funksional kërkon drejtësi, barazi dhe llogaridhënie të ndërsjellë”, theksoi Gërvalla, duke bërë thirrje për më shumë përgjegjësi dhe solidaritet ndërmjet vendeve të rajonit.