Afera për të cilën raportuan mediat se është i përfshirë ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj u bë temë diskutimi në konferencën e zëvendëskryeministrjes dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, dhe homologes së saj nga Sllovenia, Tanja Fajon, raporton Gazeta “Enigma”.
Gërvalla mes tjerash u pyet nga gazetarët për rastin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishajt. Ajo tha se deri në këto momente nuk ka asnjë informacion zyrtar se Berishaj ka bërë ndonjë shkelje.
“Unë kam kërkuar dhe vazhdoj të kërkoj nga shtetet të cilat janë përmendur që të na japin informacione se a janë të vërteta apo spekulime të medieve të ndryshme akuzat ndaj tij. Ambasadori nuk shkarkohet për shkak të spekulimeve mediale – ai shkarkohet kur ka arsye faktike”, theksoi ajo.
“Deri në këtë moment unë nuk kam asnjë informacion të vetëm zyrtar që shkelje të tilla kanë ndodhur”, shtoi tutje Gërvalla.
Ajo po ashtu njoftoi se shpejt do mbajë një konferencë së bashku me Berishajn. “Sot në mëngjes kam folur me ambasadorin Berishaj dhe ai ka treguar gatishmërinë që të bëjmë një konferencë të përbashkët për shtyp ku ai do të mund t’u përgjigjet të gjitha pyetjeve”, tha ajo. /Gazeta Enigma.