Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla ka takuar kryeministrin e Andorrës, Xavier Espot Zamora.
“Republika e Kosovës si një shtet me aspirata të qarta integruese është mirënjohëse ndaj Principatës së Andorrës për mbështetjen e pa rezervë dhënë në procesin e anëtarësimit të shtetit tonë në organizata ndërkombëtare”, theksoi Gërvalla.
Situata e sigurisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor si dhe nevoja e integrimit të Kosovës në mekanizmat e sigurisë dhe ato evropiane ishin temat kyçe në takimin mes Ministres Gërvalla dhe Kryeministrit Espot Zamora.
“Tutje Gërvalla e njoftoi Kryeministrin e Andorrës rreth progresit në ekonomi, sundim të ligjit dhe rritjen e standarteve demokratike në vend. Ministrja Gërvalla e falënderoi kryeministrin e Andorrës për mbështetjen e dhënë ndaj Kosovës në anëtarësimin e saj në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë dhe kërkoi vazhdimin e mbështetjes edhe në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, për të cilin proces mori mbështetjen e nevojshme”, thuhet në komunikatën e MPJD-së.
Gjatë këtij takimi palët shprehën gatishmërinë për bashkëpunim edhe në fushën e turizmit, shkëmbim të eksperiencave në diplomaci dhe fusha tjera me interes të përbashkët.
Në fund të takimit Ministrja Gërvalla e ftoi Kryeministrin e Andorrës, Espot Zamora të vizitojë Republikën e Kosovës, në 25 vjetorin e çlirimit.